Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë ka realizuar një aksion, me qëllim të hetimit, zbulimit dhe parandalimit të trafikimit me qenie njerëzore.
Ky plan është realizuar në kuadër të kampanjës vetëdijesuese me moton “Mos hesht, ndal trafikimin me njerëz”, me qëllim të marrjes së masave pro aktive në identifikimin e hershëm dhe mbrojtjen e viktimave të mundshme të trafikimit.
Policët kanë kontrolluar 17 lokale në lokacione të ndryshme. Tri nga këto lokale janë mbyllur nga inspektorët komunalë si dhe janë shqiptuar gjoba dhe vërejtje për mungesë të dokumenteve të punës.
Nga Policia e Kosovës është njoftuar se në këto lokale janë hasur duke punuar 133 punëtorë, prej tyre 86 gra dhe 47 burra. Nga ta 70 kishin nënshtetësi kosovare, 61 shqiptare dhe një të Serbisë e një të Bullgarisë.
“Në lokalet e kontrolluara janë gjetur dhe janë sekuestruar disa gjëra të ndaluara (sprej, shufër metalike) të cilat janë sekuestruar nga Policia. Të gjithë shtetasit e huaj, në mungesë të paraqitjes së lejes së punës dhe qëndrimit, janë referuar të trajtohen nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj e PK-së. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e çdo dukurie negative, përfshirë luftën e vazhdueshme kundër trafikimit me qenie njerëzore, me këtë rast falënderojmë qytetarët për bashkëpunim dhe i inkurajojmë që edhe në të ardhmen të vazhdojë bashkëpunimi i tillë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.