Fjalë Kyçe

Policia i jep leje VV-së për protestë, ky është plani i operimit

Policia i jep leje VV-së për protestë, ky është plani i operimit

Rreth pesë mijë aktivistë të Vetëvendosjes do të mblidhen nesër në sheshet e Prishtinës për të protestuar, në tubimin që ky subjekt politik e ka quajtur “përformancë”.

Protesta e VV-së ndërlidhet me një vendim të mundshëm të Gjykatës Kushtetuese, që do t’i jepte të drejtë LDK-së për formimin e qeverisë,  e që bije ndesh me kërkesën e Vetëvendosjes për organizimin e zgjedhjeve të reja, shkruan lajmi.net.

Në lidhje me protestën e paralajmëruar për nesër, për lajmi.net kanë folur edhe nga Policia e Kosovës.

Ata kanë thënë se Policia e njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, miorëpo se duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet ne fuqi.

Nga Policia kanë konfirmuar po ashtu se tubimi është paralajmëruar nga Vetëvendosje.

“Policia e Kosovës e njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Legjislacioni në fuqi përcakton se çdo tubim publik duhet të lajmërohet nga organizatori apo përfaqësuesi i tij nën kushtet dhe afatin e paraparë ligjor, siç është lajmëruar edhe kjo performancë/tubim”, thuhet në përgjigjen e policisë për lajmi.net.

E nga Vetëvendosje po hezitojnë ta quajnë protestë tubimin e nesërm, ani pse aty do të jenë të pranishëm rreth 5 mijë persona.

Nga VV kanë thënë sot se organizimi i nesërm është një lloj “përformance”, mirëpo në përmasa më të mëdha se ajo e para disa ditëve.

“Në vazhdimësi gjatë kësaj kohe kemi pasur kërkesa e interesim të shumtë të qytetarëve për të protestuar në lidhje me zhvillimet në vend. Pas realizimit të suksesshëm të provës së parë nga qytetarë e aktivistë ne kemi menduar të realizojmë testin e dytë por në përmasa më të mëdha. Pra, kjo sigurisht se nuk është një protestë, por një performancë me 3500 deri në 5000 persona”, kanë thënë nga VV.

Siqoqoftë, Policia e Kosovës është zotuar se do të ndërmarrë të gjithë veprimet e saja konform Kushtetutës së Kosovës, për menaxhimin e situatës në këtë tubim.

Për lajmi.net, policia thotë se është e angazhuar për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

“Si institucion i zbatimit të ligjit, Policia e Kosovës do të ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe vendimeve të institucioneve kompetente për menaxhimin e situatës në këtë kohë të pandemisë COVID-19, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike,  shëndetit publik, si dhe për të respektuar vendimet, masat dhe kufizimet e parapara ndaj pandemisë”, kanë thënë nga Policia e Kosovës.

Ndryshe, para disa ditësh, Vetëvendosje kishte mbajtur edhe një të ashtuquajtur “provë” për protestë, në të cilën të pranishëm ishin rreth  500 persona.

Një veprim i tillë i VV-së ishte kritikuar tej mase në opinionin publik, pasi që në bazë të masave të vëna nga ministria e Shëndetësisë, nuk lejohen tubimet e shumë personave, pasi që ekziston rrezik potencial për përhapjen e koronavirusit.