Fjalë Kyçe

Policia e Kosovës sqaron dorëheqjen e Shefes së Prokurimit

Policia e Kosovës sqaron dorëheqjen e Shefes së Prokurimit

Policia e Kosovës (PK), me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik sqaron shkrimet e  publikuara në media me titull: “Shefja e prokurimit dorëhiqet pasi identifikoi tentativë për keqpërdorim në sistemin PRIMS”.

“Zyrtarja e Policisë së Kosovës znj. V. B. (staf civil), ka qenë duke shërbyer në kuadër të Departamentit për Shërbime Mbështetëse, në pozitën u. d. drejtor i Drejtorisë së Prokurimit, efektive deri më 10.11.2020, mirëpo e njëjta ka ofruar dorëheqje vullnetare (09.11.2020), një ditë para se t’i mbarojë data efektive e pozitës”, thuhet në reagimin e Policisë.

Sipas policisë zyrtarja në fjalë, në dorëheqjen e ofruar ka potencuar disa dyshime të ngritura nga ana e saj, mbi disa parregullsi të cilat ia ka adresuar më parë menaxhmentit të lartë (të mëparshëm) të PK-së dhe disa dyshime, sipas saj, për parregullsi në sistemin PRIMS të PK-së, përfshirë edhe disa adresime të vazhdueshme ndaj mbikëqyrësit të saj.

“Policia e Kosovës përmes zyrtarëve kompetentë ka trajtuar shqetësimet e ngritura për dyshimet e keqpërdorimit të sistemit PRIMS dhe nga të njëjtit, përfshirë menaxherin e projektit, ka rezultuar se nuk ka ndonjë keqpërdorim apo ndonjë qasje të paautorizuar në këtë sistem”, thuhet në nder të tjera në reagim.

Policia thekson se, u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Samedin Mehmeti, në momentin e pranimit të informacioneve zyrtare me datën (04.11.2020), për të gjitha dyshimet e ngritura nga ana e zyrtares në fjalë, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme ligjore, duke e trajtuar dhe adresuar në mënyrë zyrtare shkresën edhe tek Inspektorati Policor i Kosovës, për trajtim dhe kompetencë të mëtejme.

“Policia e Kosovës, në këtë rast u. d. drejtori i Përgjithshëm i PK-së z. Mehmeti, do të vazhdojë bashkëpunimin me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe të gjitha institucionet kompetente për trajtimin dhe hetimin e këtij rasti dhe të gjitha rasteve, kur ngrihen dyshime për keqpërdorime të mundshme”, thuhet në fund të reagimit.