Fjalë Kyçe

Policia hyri me forcë në shtëpinë në Pejë ku u vra 17-vjeçarja, sulmohet nga vëllezërit e viktimës

Policia hyri me forcë në shtëpinë në Pejë ku u vra 17-vjeçarja, sulmohet nga vëllezërit e viktimës

A.R, 17-vjecare dhe 58-vjeçari me inicialet R.B janë gjetur të vdekur pasditen e së shtunës në Vitomiricë të Pejës. Sipas Prokurorisë, dyshohet se 58-vjeçari me armë zjarri ka vrarë fqinjën e tij 17-vjeçare, derisa më pas edhe vetveten.

Shkodran Nikçi, zëdhënës në Prokurorinë e Pejës, ka thënë se trupat e viktimave janë dërguar për obduksion.

Shkaku i hetimeve, Nikçi ka thënë se nuk mund të shpalosë më shumë detaje lidhur me rastin, e as dyshimet se çfarë mund të ketë qenë motivi i ngjarjes, raporton KOHA.

Në anën tjetër, derisa ishin duke siguruar vendin e ngjarjes, zyrtarët e Policisë së Kosovës janë sulmuar nga disa persona, e të cilët dyshohet se janë familjarë të viktimës, A.R.

“Në orët e pasdites, Policia është informuar për një rast se në një shtëpi janë vërejtur dy persona të shtirë. Pasi kanë marrë pëlqimin nga prokurori, zyrtarët e Policisë kanë hapur derën me forcë dhe kanë gjetur dy persona pa shenja jete, vdekja e të cilëve është konstatuar më pas nga mjeku. Derisa është siguruar vendi i ngjarjes, katër persona nuk kanë përfillur urdhrat e policisë dhe më pas kanë sulmuar zyrtarët policorë e të cilëve iu kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore. Pas arrestimit, katër personat me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Viktimat janë një burrë 58-vjeçar dhe një vajzë rreth 18-vjeçare. Nuk dihet motivi e as shkaku i ngjarjes, derisa ekipet kompetente janë duke punuar në zbardhjen e rastit”, ka thënë zëdhënësi i Policisë rajonale në Pejë, Fadil Gashi.

Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore derisa për sulmin ndaj tyre janë dërguar në mbajtje 4 persona.