Policia e rajonit të Prizrenit ka njoftuar se ka kryer një operacion gjatë tri ditëve të fundit, nga e shtuna deri sot, duke arrestuar gjashtë persona dhe sekuestruar disa armë.
Nga Policia e Kosovës është njoftuar se pas videove që kanë qarkulluar në rrjetet sociale dhe në mediume, ku janë parë më 20 gusht disa persona duke gjuajtur me armë zjarri në fshatin Restelicë të Dragashit, ka filluar hetimet.
Gjatë bastisjeve në Restelicë të Dragashit, Mohlan të Suharekës, Dragobil të Malishevës, lagjen Arbana në Prizren dhe në fshatin Kuk në Dragash, janë sekuestruar tri revole të modeleve Smith Wesson, Gircen dhe Gircan. Po ashtu dy armë gjuetie të kalibrit të ndryshëm dhe 22 gëzhoja të shkrepura nga armët e kalibrit të ndryshëm.
Personat e arrestuar A.B. (1982), F.H. (1987), G.B. (1979), F.H. (1981), Sh.O. (1965) dhe A.P. (1981) me urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë, siç është njoftuar nga Policia e Kosovës.