Fjalë Kyçe

Policia ndëshkon me gjobë organizatorët e protestës së gastronomëve

Policia ndëshkon me gjobë organizatorët e protestës së gastronomëve

Policia e Kosovës ka shqiptuar gjoba për katër organizatorët e protestës së gastronomëve. Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi. “Po, katër nga organizatorëve të një proteste u janë shqiptuar gjoba bazuar në Ligjin Anti-COVID-19”, ka thënë ai.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme pjesëtarët e Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës kanë protestuar në shenjë pakënaqësie ndaj masave të marra nga Qeveria e Kosovës, me qëllim të frenimit të coronavirusit.

Ata kanë zhvilluar një aktivitet simbolik para lokaleve të tyre, duke krijuar zhurmë me tenxhere dhe lugë. Para mediave ka folur kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, duke e konsideruar të papranueshme marrjen e masave të reja.

“Nuk jemi kundër shtetit ose qeverisë. Presim një pako të veçantë për sektorin e gastronomisë. Nga ndihmat e qeverisë kanë përfituar edhe barnatoret, të cilat kanë punuar, kurse ne kemi qenë tërësisht të mbyllur”, tha Kllokoqi.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një konference për media ka thënë se masat kufizuese që ka ndërmarrë Qeveria, kanë shkaktuara dëme të mëdha të bizneset. Rukiqi po ashtu ka thënë se masat e fundit të ndërmarra nga Qeveria, kanë qenë të pakoordinuara me komunitetin e bizneseve.

“Sot janë mbyllur mbi 20 mijë biznese në gjithë vendin, nga këto masa janë prekur këto biznese që nuk do të punojnë gjatë fundjavës. Dëmet për këto biznese mund të arrijnë deri në 10 milionë apo 15 milionë euro brenda një dite. Ajo çfarë është më e keqja është se këto mjete që nuk shpenzohen në Kosovë do të shpenzohen në vendet e rajonit”, tha ai para mediave.