Qindra persona janë në kërkim nga Policia e Kosovës për vepra të ndryshme, duke filluar nga rastet e vjedhjeve e deri te personat e dyshuar për vepra që ndërlidhen me terrorizëm.
Aktualisht janë 288 persona në kërkim nga Policia e Kosovës, ka treguar për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit (ILECU), Veton Elshani. Sipas tij, vetëm këtë muaj Policia ka arrestuar 3 persona, të dyshuar për grabitje, vrasje dhe vepra që ndërlidhen me terrorizëm.
Megjithatë në zyrën për media të Policisë së Kosovës, nuk kanë dhënë shumë detaje për numrin e personave që janë në kërkim dhe për veprat që ata dyshohet se i kanë kryer.
Po ashtu, nuk është sqaruar as në lidhje me dyshimet se në cilat vende, shtete fshihen këta persona, sipas informatave që posedojnë organet e rendit.
Daut Hoxha, zëdhënës në Policinë e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se kanë bashkëpunim të mirë edhe me vendet e tjera, për realizimin e urdhër-arresteve për persona të kërkuar.
“Policia e Kosovës përmes një bashkëpunimi ndërinstitucional realizon urdhër-arrestet për persona të kërkuar, qoftë në nivel vendi apo edhe realizime të urdhër-arresteve për persona të tjerë, që kërkohen nga autoritetet e vendeve tjera”, tha Hoxha.
Për Plator Avdiun nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ky numër i madh i personave në kërkim, paraqet problem për Policinë e Kosovës, kur dihet që Kosova ende nuk është pjesë e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL).