Fjalë Kyçe

Policia shkon ta konfiskojë veturën super-luksoze me të cilën vozitej ish-sekretari i MIT-it, Betim Reçica

Policia shkon ta konfiskojë veturën super-luksoze me të cilën vozitej ish-sekretari i MIT-it, Betim Reçica

Një veturë lukzose e tipit “Audi” në vlerë prej 60 mijë eurosh, po dyshohet nga policia se është përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Pronar i saj është Bekim Reçica, vëllau i ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, i cili ishte shkarkuar nga kjo pozitë. Reçica madje e voziste edhe vet këtë veturë shumë luksoze.

Dje policia e Kosovës i shkoi në shtëpi Bekim Reçicës nga Vranidolli i Prishtinës. Policia arriti aty me qëllimin që t’ia konfiskojë veturën super-luksoze atij, e që dyshohet se është përfituar në formë të paligjshme, raporton lajmi.net.

Por qëllimit policia nuk ia arriti. Vetura e tipit “Audi RS 7”, nuk u konfiskua, sepse gjendej brenda një garazhe, çelësin e së cilës pronari Bekim Reçica thotë mos ta ketë pasur në ato momente.

“Erdhën dy persona me një Golf 7, u prezantuan si policë të Kosovës, thanë që kemi ardhur me një konfisku një veturë. Vetura është pronë e jemja”, ka thënë Reçica dje për Klan Kosovën.

E Bekim Reçica, duke ua kërkuar urdhrin e prokurorisë për konfiskim, refuzoi që t’i merret vetura. Si rrjedhojë, ai u paralajmërua se të nesërmen vetura do t’i merret me forcë. Pas debatit, policia kërkoi nga Reçica, që veturën të sjellë vet në stacion.

Sidoqoftë, në përgjigjen që u dha më vonë, u hodh poshtë pretendimi i Reçicës dhe policia konfirmoi se ka pasur autorizim nga prokuroria ta ndalojë veturën në fjalë, si dhe ta njoftojë departamentin anti-korrupsion.

Veturën e Bekimit, që është prodhim i vitit të kaluar, e vozit edhe vëllai i tij, Betim Reçica. Ky i fundit deri vonë ishte sekretar i ministrisë së Infrastrukturës, deri sa u shkarkua nga kjo pozitë.

Për ish-sekretarin Reçica është raportuar disa herë në media për jetën luksoze që bën.

Madje, mediat kishin publikuar edhe fotografi të Reçicës i cili shëtitej rrugëve të Parisit, i veshur me rroba të shtrenjta.

Lajmi.net ka raportuar në vazhdimësi në lidhje me rastin e Betim Reçicës, dhe dyshimet mbi falsifikimin e dokumenteve nga ana e tij, për të cilat ai edhe ishte intervistuar nga Policia.