Sipas një raporti të organizatës “Human Rights Watch”, qeveria e Britanisë së Madhe është duke i shkelur obligimet e saj për të siguruar ushqim të mjaftueshëm për të gjitha familjet.
Në raportin e publikuar të hënën thuhet se shkurtimet e shpenzimeve në sistemin e mirëqenies sociale që nga ardhja në pushtet e Partisë Konservatore më 2010 i kanë lënë mijëra familje me fëmijë pa ushqimin e duhur. Si rezultat i këtyre politikave, këto familje janë bërë të varura nga organizatat bamirëse.
“Mbretëria e Bashkuar është ekonomia e pestë në botë. Është vërtetë e pabesueshme që gjithnjë e më shumë familje po rrezikohen nga uria”, tha Kartik Raj, hulumtues i kësaj organizate për Evropën Perëndimore dhe autor i raportit, shkruan “CNN”.
“Qeveria i është shmangur përgjegjësisë së saj në aspektin e mbrojtjes së të drejtave të njerëzve për ushqim. Është përgjegjësi e qeverisë që secili banor i shtetit t’i gëzojë të drejtat për ushqim dhe standard të duhur për jetesë”, shtoi Raj.
Për hartimin e këtij raporti u realizuan 126 intervista me familje, vullnetarë dhe punëtorë të qendrave për ofrim të ushqimit. Në raport është përfshirë edhe analiza e të dhënave dhe statistikave qeveritare.
Një nënë 23 vjeçe nga qyteti Hull tha se nganjëherë nuk ha ushqim për vete për t’i siguruar ushqim të mjaftueshëm vajzës së saj 4 vjeçe.