Fjalë Kyçe

Ponte Prizreni paralajmëron padi penale

Ponte Prizreni paralajmëron padi penale

Klubi i Ponte Prizrenit ka reaguar nëpërmjet një komunikate në lidhje me vendimet që ka marrë Komesari i Garave në lidhje me ndeshjen e ndërprerë kundër Pejës në kuadër të serisë gjysmëfinale të plejofit.

Komesari ka marrë vendim që ndeshjen ta regjistroj me rezultatin zyrtar 20:0 në favor të Pejës që tashmë është kualifikuar në finale derisa Ponte Prizrenin krahas eliminimit edhe e ka gjobitur. Ekipi prizrenas ka marrë një gjobë prej 4900 eurosh dhe është dënuar me tri ndeshje pa praninë e tifozëve në sezonin tjetër. Ndërkohë, pa gjoba nuk kanë shpëtuar as trajneri Arbnor Rifati, kryetari Zgjim Kryeziu e basketbollisti Leurit Morina. Rifati e Kryeziu kanë marrë nga 500 euro gjobë secili kurse Morina është gjobitur me 400 euro dhe dy ndeshje moslojë.

Ponte ka thënë se nuk do të ankohet në Komsionin Arbitrar por ka paralajmëruar padi penale. Gjithashtu, klubi ka thënë se nuk do të paguajë dënimin derisa nuk do të ketë transparencë në lidhje me borgjet tjera të klubeve. “Regjistrimi i rezultatit zyrtar 20:0 në favor të KB Peja nga ana e Komesarit të garave Kurshumliu është tendencioz, dhe i një anshëm dhe pa asnjë bazë e argument!. Vendimi si duket paska qenë i gatuar nga ai sa që hala pa filluar dita mirë e servoi atë në faqen zyrtare të FBK – së. Në të gjitha kompeticionet sportive, në kohën kur ushtrohet dhuna, akterët, lojtarët duhen të ndëshkohen me gabime diskualifikuese, në të njëjtën kohë të merren deklarata të të apostrofuarve dhe në raportin shtesë të policisë dhen emergjencës (ndihmës së parë) të merret vendim juridik e jo vendim i tekeve të një personi i cili aq më shumë ka qenë gangrena e basketbollit për sa vite ka qenë Komesar i garave. Kërkojmë transparencë se nga i vërtetoi dhe identifikoi zyrtarët si tifozë dhe ku e ka dëshminë që ne ishim iniciatorë. Ne si klub kemi dënuar rastin, dhe kërkojmë falje publike ndaj KB Peja dhe ndaj gjithë dashamirëve të basketbollit ku do që janë. Skena të tilla asnjëherë nuk kanë qenë në frymën tonë sportive. Po ky komesar ishte ai që prishi edhe raportet mes dy klubeve, i cili peshën e ndeshjes pa i dhënë rëndësi delegoi gjyqtarë jo kualitativ të cilët me menaxhim katastrofik të ndeshjes e paraprijnë që fundi të jetë i dhunshëm edhe si pasojë e përfundimi erdhi: Ekipi kampion i stinorit të rregullt, të diskualifikohet nga gara, ndërsa ekipit mik i pezullon dy lojtarët kyq duke i prishur komplet imazhin e kampionatit që ishte pa dyshim më e mira në historinë e basketbollit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Bordi i klubit.

“KB PONTE PRIZRENI nuk do të ankohet në shkallën e dytë pasi se edhe aty, servimi do vjen i njëjtë. Por do angazhojmë avokatin e klubit z. Gent Gjini i cili do përgatit një padi penale. Historikisht sukseset e klubit tonë dhe qytetit të Prizrenit, kanë qenë çdo herë jo të pëlqyera nga Kurshumlia. Klubi jonë është gjobitur me afro 6000€, dhe këtu ju konfirmojmë që jemi klubi ndoshta më i përpiktë për kryerjen e obligimeve. Nga arka e klubit nuk do paguajmë asnjë cent për këto dënime deri sa nuk do kemi transparencë se sa të holla kanë borxhe skuadrat tjera. Ekipeve finaliste ju dëshirojmë suksese në finale, ndërsa së shpejti do dalim me vendimin zyrtar, për vazhdimin apo mos vazhdimin e kampionatit të ardhshëm. Nuk do lejojmë që gjithë investimin, djersën e mundin e sponsorëve, lojtarëve ta shuan një njeri”.