Fjalë Kyçe

“Popull, deputetët i marrin 2,000 euro në muaj, prandaj nuk votojnë që ju t’i merrni paratë tuaja nga Trusti”

“Popull, deputetët i marrin 2,000 euro në muaj, prandaj nuk votojnë që ju t’i merrni paratë tuaja nga Trusti”

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj ka thënë se deputetët të cilët nuk e votojnë Projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike i kanë punët e veta mirë, pasi i marrin nga 2,000 euro në muaj.

Nitaj në një postim të tij në rrjetin social në Facebook ka shkruar se qytetarët duhet ta mendojnë mirë se cilin deputet e votojnë në zgjedhjet e ardhshme.

“O popull, ata deputetë që nuk po votojnë që ju t’i merrni paret e juaja nga Trusti për hall, vet i kanë qitë pun’t n’dyzen e i marrin nga 2 mijë euro muaj për muaj.  Gjeni kush janë e kur të votoni tjetër herë mendoni dy here”, ka shkruar Nitaj.

Për shkak të mungesës së kuorumit, Kuvendi i Kosovës të enjten, për herë të dytë nuk arriti të votojë Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike COVID-19.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se kjo pikë do të shtyhet për seancën e ardhshme plenare.

Votimi i këtij projektligji do t’iu mundësonte qytetarëve kontributpagues të tërheqin 10 për qind të mjeteve nga llogaria e tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Deri më tani, vlera e mjeteve në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës ka arritur në mbi 2 miliardë euro me rreth 690 mijë kontributpagues.

https://www.facebook.com/muharrem.nitaj/posts/10224281771176808