Portugalia do të jetë favorite absolute përballë Sllovenisë kur të dy përfaqësueset ballafaqohen të hënën në raundin e parë të fazës nokaut të Kampionatit Evropian.
Ndeshja nis nga ora 21:00 dhe luhet në “Waldstadion” të Frankfurtit.
Fituesi i kësaj ndeshjeje takohet me Belgjikën apo Francën në çerekfinale, të premten.
Portugalia e ka nisur fazën grupore me fitore ndaj Republikës së Çekisë dhe Turqisë, ndërsa pushoi disa futbollistë për ndeshjen ndaj Gjeorgjisë dhe pësoi humbje 2:0. Sllovenia do të luajë për herën e parë në fazën nokaut të një turneu në 32 vjet si shtet i pavarur.
Sllovenët e nisën “Euro 2024” njësoj si Portugalia kur kishte triumfuar në vitin 2016. Sllovenia kishte tri barazime të njëpasnjëshme dhe ishte njëra prej tri përfaqësueseve më të mira të vendit të tretë.
“Çelësi i suksesit është lidhja e fortë e krijuar në skuadër. Ne punojmë si grup. Edhe kur nuk kemi stërvitje apo nuk luajmë ndeshje, jemi bashkë në hotel. Ne qëndrojmë të bashkuar si skuadër. Kualifikimi në Evropian ishte arritje e madhe. Në njëfarë mënyre e kemi arritur synimin. Gjithçka tjetër është bonus për ne”, ka thënë mesfushori i Sllovenisë, Timi Elshnik, të dielën në konferencën për shtyp.
Ndërkohë, Bruno Fernandes, mesfushori i portugezëve, ka theksuar se Portugalia është e gatshme për suksesin e radhës.
“Ne jemi ballafaquar me Slloveninë në miqësore dhe e kemi idenë se çfarë mund të bëjnë sllovenët. Duhet të jemi të durueshëm, të mbrohemi mirë dhe të jemi të fortë fizikisht. Duhet që t’i lodhim rivalët. Ata janë shumë të mirë prapa”, ka theksuar Fernandes.
Sllovenia në muajin mars kishte fituar ndaj Portugalisë 2:0 në Lubjanë.