Fjalë Kyçe

Pos bixhozit, në Karaçevë dyshohet se u bë edhe kontrabandim i gjedheve të sëmura nga Serbia

Pos bixhozit, në Karaçevë dyshohet se u bë edhe kontrabandim i gjedheve të sëmura nga Serbia

Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, s’ishte vepra e vetme të cilën dyshohet ta ketë kryer grupi i të arrestuarve të premten në Karaçevë të Kamenicës. Shumë prej të arrestuarve dyshohen edhe për kontrabandim me mallra nga Serbia, kryesisht kafshë. Në mesin e tyre edhe kafshë të sëmura.

Policia e Kosovës të premten arrestoi 35 persona në këtë fshat në zonën kufitare me Serbinë. Në mesin e tyre ishin 12 policë.

Siç ka mësuar KOHA, Prokuroria Themelore e Gjilanit ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj 30 prej tyre. Në arsyetim është thënë se për rastin janë siguruar prova të mjaftueshme, që dëshmojnë veprat e tyre.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit në mënyrë të organizuar kishin ndarë detyrat e tyre mes vete, të lidhur me persona zyrtarë (policë) duke ua lehtësuar funksionimin. Pikëkalimi kufitar me Serbinë, sipas Prokurorisë, ka shërbyer si lehtësim për kontrabandim me mallra. Në arsyetim, theksohet se kryesisht mallrat e kontrabanduar janë futur nga Serbia në Kosovë. Bëhet fjalë për kafshë duke i bartur me kamionë, traktorë apo edhe në këmbë. Pas kësaj ata dyshohet se i kishin dërguar nëpër thertore si dhe fabrika për prodhim të produkteve të mishit në qendra të ndryshme të Kosovës. Pos veprës së kontrabandimit, ata dyshohen edhe për rrezikim të sigurisë së përgjithshme, pasi që dyshohet se në mesin e kafshëve të tregtuara “ka pasur raste që janë transportuar edhe gjedhe të sëmura”.

Theksohet se në Karaçevë kanë funksioniuar katër kazino qe një vit, ndërsa numri i tyre është rritur në 14 sosh, e ku dyshohet se janë humbur me mijëra euro. Pos kësaj, aty janë zhvilluar aktivitetet ilegale edhe në kohën e pandemisë së koronavirusit, duke u shkelur edhe masat e Qeverisë për parandalimin e koronavirusit.

Sipas Prokurorisë, baza ligjore për paraburgimin e tyre përmbushet sepse në këtë çështje me gjetjen e të pandehurve, nëse ata do të ishin në liri, do të mund të kishte pasoja si shkatërrim, fshehje, ndryshim apo falsifikim të provave materiale.

Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj policëve: F.L., H.K., S.K., I.S., F.K., A.K., F.Z., R.Th., S.G., S.N., S.M., Z.A. dhe të pandehurve tjerë: D.S., A.Th., A.S., B.S., F.S., A.S., N.K., S.D., B.S., F.S., Sh.S., E.K., F.S., V.S., Y.Th., Rr.G., L.G., N.Ç.