Fjalë Kyçe

Presidenca i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Albin Kurti-Presidenti Thaçi është institucioni më i lartë kushtetues në politikën e jashtme

Presidenca i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Albin Kurti-Presidenti Thaçi është institucioni më i lartë kushtetues në politikën e jashtme

Zyra e Presidentit të Kosovës i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, se presidenti duhej t’i raportonte Kuvendit para se të shkonte për vizitë në SHBA.
Në përgjigjet për ksp, kjo zyre ka thënë se presidenti i Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë kushtetues, i cili udhëheq me politikën e jashtme dhe se Kuvendit i ishte kërkuar që nga dhjetori i vitit 2019 organizimi i një seance, në mënyrë që presidenti t’iu drejtohet deputetëve.
Vetëm disa orë më parë kryeministri Kurti kishte thënë se presidenti Thaçi është dashur të raportonte në Kuvend para shkuarjes në SHBA, si dhe të zhvillonte takime me të për unifikim të politikës së jashtme, e jo pasi i ka përfunduar ato.
“Mora vesh se po kthehet nga SHBA, duket pa një deklarim të përbashkët me presidentin e Serbisë, e lëre më pa marrëveshje. Fakti që nuk kanë një marrëveshje presidenti i Kosovës me presidentin e Serbisë besoj që është një dështim i dobishëm për Republikën e Kosovës”, kishte thënë Kurti.
Zyra e Presidentit ka theksuar ndërkaq se të gjitha palët që janë pjesë e politikës së jashtme i subordinohen presidentit dhe jo anasjelltas, në këtë rast edhe qeveria dhe kryeministri, të cilat kanë rol zbatues të politikës së jashtme dhe këshillues lidhur me propozimet e tyre.
“Presidenti i Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë kushtetues, i cili udhëheq me politikën e jashtme. Si Zyre e Presidentit, në emër të presidentit Thaçi, qysh nga dhjetori i vitit 2019-të i kemi shprehur me shkrim gatishmëri Kuvendit, që presidenti t’i drejtohet deputetëve, por kjo seancë ende nuk është organizuar. Kjo është hera e dytë brenda një periudhe të shkurtër që presidenti kërkon t’u drejtohet deputetëve. Po ashtu, presidentit Thaçi i subordinohen të gjitha palët që janë pjesë e politikës së jashtme, në këtë rast edhe qeveria dhe kryeministri, që kanë rol zbatues të politikës së jashtme dhe këshillues për propozimet e tyre dhe jo anasjelltas”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.
Ndërsa, lidhur me propozimet e Ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, për tërheqjen e disa ambasadorëve, Zyra e Presidentit ka thënë se deri më tash nuk kanë pranuar zyrtarisht asnjë propozim për tërheqje ambasadorësh, por emërimi dhe shkarkimi i ambasadorëve është e drejtë ekskluzive kushtetuese e Presidentit të Republik ës së Kosovës.
“Nëse këto propozime vijnë zyrtarisht nga ana e Qeverisë, presidenti gjithsesi që i shqyrton”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.