Presidentja Vjosa Osmani është operuar në spital privat dhe jo në publik të mërkurën, sepse aty punon xhaxhai i saj, ka thënë Presidenca të enjten në një përgjigje për KOHËN. Presidenca ka thënë se xhaxhai i Osmanit, dr. Eshref Osmani ka qenë në përcjellje të gjendjes shëndetësore të presidentes qe një kohë të gjatë.
Vendimi i presidentes që për largimin e tëmthit të operohet në spital privat, u konsiderua si injorim e ofendim për kirurgët e Qendrës Klinike Universitare.
“Arsyeja pse Presidentja Osmani është operuar në spitalin ‘Aloka’ është ngase axha i Presidentes, kirurgu dr. Eshref Osmani është i angazhuar në këtë spital dhe ka qenë në përcjellje të gjendjes shëndetësore të Presidentes qe një kohë gjatë. I njëjti ka asistuar gjatë ndërhyrjes kirurgjike. Dr. Osmani deri në pensionim ka punuar në QKUK, dhe ka një përvojë kirurgjike mbi 40 vjeçare. I njëjti e ka përcjellë me vite të tëra gjendjen shëndetësore të Presidentes, dhe për rrjedhojë nën këshillimin dhe mbikëqyrjen mjekësore të Dr. Osmanit është realizuar intervenimi kirurgjik në spitalin ‘Aloka’, meqë për shkak të pensionimit ai nuk punon më në QKUK. Ndërhyrja kirurgjike është realizuar në institucion shëndetësor të licencuar, i cili e ushtron veprimtarinë e tij në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës dhe nga mjekët dhe stafi ndihmës vendor”, thuhet në përgjigjen e Bekim Kupinës, këshilltar për Media i presidentes.
Kupina ka thënë se “është e drejtë e pacientit ta zgjedhë mjekun te i cili duhet të trajtohet”. Sipas tij, realizimi i ndërhyrjes kirurgjike në privat nuk paraqet vlerësimin e Osmanit për sektorin publik shëndetësor.
“Prandaj, nuk ka asnjë arsye të njollosen mjekët, sepse janë po këta mjekë, të njëjtit që punojnë në institucionet shëndetësore, qoftë publike apo private. Pra, ekipi mjekësor që ka realizuar ndërhyrjen është përbërë tërësisht nga mjekë vendorë me përvojë të gjatë në institucionet publike dhe private shëndetësore të Republikës së Kosovës dhe Presidentja i falënderon për punën profesionale dhe kujdesin e treguar. Realizimi i ndërhyrjes kirurgjike nuk paraqet vlerësim të përgjithshëm mbi arritjet dhe sfidat e sektorit publik shëndetësor, pasi që Presidentja Osmani dhe familja e saj në vazhdimësi, në mbi 90 për qind të rasteve, marrin shërbime shëndetësore nga institucionet shëndetësore publike të Republikës së Kosovës. Angazhimi i presidentes Osmani për fuqizimin e sektorit të shëndetësisë nuk ka munguar dhe nuk do të mungoj asnjëherë”, thuhet në përgjigje.
Kupina ka thënë se sapo është vendosur për ndërhyrje, Osmani ka përcjellë njoftimin e dorëzimit të përgjegjësive te kryeparlamentari Glauk Konjufca.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk e kërkon njoftimin publik të kalimit të përgjegjësive në sekondë, ndaj njoftimin publik e ka bërë Kabineti i Presidentes së Republikës së Kosovës, kur ka vlerësuar se duhet të bëhet një gjë e tillë për t’u njoftuar qytetarët për bartjen e përkohshme të përgjegjësive nga Presidentja Osmani tek kryetari Konjufca”, ka thënë ai.
Sipas Presidencës, pagesa e ndërhyrjes kirurgjike dhe e trajtimit mjekësor do të kryhet me mjete vetjake të Osmanit “ngase ajo dhe familja e saj, aktualisht nuk kanë sigurim shëndetësor”.
Kupina ka konfirmuar se Osmani është në gjendje të mirë shëndetësore.
Ajo të enjten i është kthyer ushtrimit të detyrave të saj.