Zyra e Presidentes ka bërë publike së fundmi shpenzimet e shefes së shtetit dhe kabinetit të saj, duke bërë krahasime me shpenzimet e paraardhësve të saj në këtë pozitë.
Këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina, ka shpërndarë në faqen e tij në Facebook disa grafika të cilat shpërfaqin përqindjet e shpenzimeve të këtij institucioni që nga viti 2013.
“Po i bëjmë publike ato, jo vetëm për ta përmbushur kriterin e transparencës, por edhe për ta dëshmuar gatishmërinë për llogaridhënie për mënyrën e shpenzimit të parave të taksapaguesve. Grafikat flasin vetë dhe shpërfaqin ulje drastike shpenzimesh në të gjitha kategoritë. Racionalizimi i shpenzimeve është parimi kryesor që e ka ndjekur Presidentja Osmani që nga dita e parë, fillimisht në Kuvendin e Kosovës e më pas në Presidencë”, ka shkruar Kupina krah këtyre grafikëve.
Këto grafike tregojnë përqindjet e shpenzimeve për dreka dhe darka, ku kabineti dhe presidentja aktuale e Kosovës, thuhet se ka shpenzuar më së paku për vitin 2021, përkatësisht 2.714 mijë euro, apo 97.4 për qind më pak se presidenca e vitit 2017 që kishte shpenzuar në total 102.906 mijë euro.
Shifra të larta u panë edhe përgjatë presidencave sa i përket shpenzimeve në karburante, ku numri më i lartë është shënuar përgjatë vitit 2019, me gjithsej 130.405 mijë euro.
Sipas grafikave të bëra publike nga Kupina, akomodimi jashtë vendit, presidentit dhe stafit të tij gjatë vitit 2019 i kishte kushtuar 175.036 mijë euro, vetëm rreth 3 mijë euro më shumë se gjatë vitit 2018.
Shpenzime marramendëse janë parë edhe në grafikën që pasqyron harxhimet e zyrës së presidentit për biletat për udhëtim jashtë vendit.
Edhe në këtë grafike, viti 2019 ishte i renditur më së larti në listë sa i përket këtyre shpenzimeve, me gjithsej 336.766 mijë euro.