Zyra e Presidentes thotë se Vjosa Osmani nuk është përplasur sot me gazetarët.
Në sqarimin e tyre thuhet se e para e shtetit ka kërkuar nga pjesëtarët e sigurisë t’i lënë mediat prezente.
“Siç shihet dhe dëgjohet nga incizimi, Presidentja Osmani ka kërkuar nga pjesëtarët e sigurisë t`i lënë mediat prezente, përkundër faktit se nuk kanë qenë të ftuara në ceremoni. Ngaqë ngjarja kishte karakter ceremonial, Presidentja ka kërkuar që pyetjet për çështje të tjera të shtrohen tjetër herë. Prandaj nuk ka pasur asnjë lloj përplasje siç është prezantuar në media”.
Vjosa Osmani sot ka refuzuar të komentojë deklaratat e bashkëshortit të saj, Prindon Sadriu, i cili i quajti mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
E para e shtetit është pyetur nga gazetarët për këtë gjë, derisa në zyrën e saj ka pritur familjarët e ish-aktivistëve të ndjerë të Vetëvendosjes, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, për të cilët ka ndarë “Medalje Presidenciale”.
Osmani tha se duke e pyetur për këtë gjë po i ofendojnë familjarët e pranishëm.
“Është tepër jokorrekte ndaj familjeve. Komenti im është që jeni duke ofenduar familjet që janë këtu për momentin dhe keni hyrë brenda për të marrë pamje. Edhe pse nuk na keni paralajmëruar që do të vini, ne sërish ju lejuam që të merrni pamje, kurse në intervista të tjera flasim”./klankosova