25,48% e francezëve me të drejtë vote iu drejtuan kutive deri në mesditë në një proces që përfundon në orën 20 dhe për qellim ka zgjedhjen e shefit apo shefes së Elizesë për 5 vitet që pasojnë.
Emmanuel Macron duket se është favoriti për të thyer “mallkimin” 20-vjeçar të skenës politike franceze dhe për të arritur të rizgjidhet, diçka që nuk kishte ndodhur as me Nicolas Sarkozy dhe as me François Hollande.
Presidenti i fundit që u rizgjodh ishte Jacques Chirac në vitin 2002, pas një referendumi për të reduktuar mandatin e presidentit francez nga shtatë në pesë vjet. Sipas mesatares së sondazheve të javës së kaluar, Emanuel Macron pritet të marrë në raundin e parë të zgjedhjeve rreth 26%, Marine Le Pen 22,6% dhe kandidati i së majtës Jean-Luc Melanson 16.4%. Kandidatët e tjerë kanë më pak se 10% të votave, me të djathtën ekstreme Eric Zemour me 9,3%.
Edhe pse pesë vitet e fundit në Francë janë dëmtuar nga ngjarje të mëdha që kanë ndezur polemika, si protestat e “Jelekëve të Verdhë”, vrasja nga terroristët islamikë të mësuesit Samuel Patti, kufizimet e vendosura nga pandemia gjithçka është ende mbi tavolinë, transmeton a2cnn. Rivalja kryesore e Macron, Marine Le Pen, paraqitet në këto zgjedhje me një tjetër fytyrë të saj, larg qëndrimeve ekstremiste të dikurshme.
Ajo ka pushuar së foluri për daljen e Francës nga eurozona, ka postuar foto të maceve të saj në rrjetet sociale dhe nuk ka ngurruar të postojë një foto ku shfaqet duke përqafuar një vajzë të re me shami myslimane. Në të njëjtën kohë, shfaqja e Eric Zemour ishte një mundësi për Marine Le Pen, duke e lënë atë të mbizotërojë në retorikën e ekstremit të djathtë, pasi Marine Le Pen e di se shumica e votuesve të tij do t’i drejtohen asaj në raundin e dytë të zgjedhjeve i cili mbahet me 24 prill dhe nga ku do te vendoset gjithçka.