Presidenti çek, Millosh Zeman, është në gjendje stabile, tha të hënën një zëdhënës i spitalit ushtarak në Pragë.
Zeman, 77 vjeç, u shtrua të dielën në njësinë e kujdesit intensiv të këtij spitali.
Detajet për sëmundjen e tij nuk janë zbuluar.
Për shkak të situatës së krijuar, Çekia përballet me një periudhë të pasigurisë.
Më 8 dhe 9 tetor, në këtë vend janë mbajtur zgjedhjet parlamentare.
Aleati i Zemanit, kryeministri Andrej Babis, i ka humbur zgjedhjet.
Zeman luan rol vendimtar në përcaktimin e asaj që do të ndodhë tani, sepse si president është përgjegjës për emërimin e kandidatit që do ta formojë Qeverinë e re.
Nëse kreu i shtetit nuk është në gjendje, kjo detyrë i kalon kryetarit të Dhomës së Deputetëve.
Një zëdhënës i Zemanit tha se shtrimi në spital i presidentit nuk i rrezikon bisedimet midis partive.
Kryetari i opozitës, Petr Fiala, i cili i fitoi zgjedhjet, tha të hënën se do të jetë i durueshëm.
“Do të pres derisa shëndeti i presidentit të përmirësohet – gjë që unë e dëshiroj për të”, tha Fiala.