Fjalë Kyçe

Presidenti i Trepçës ’89: FFK po mundohet të na mbyll gojën

Presidenti i Trepçës ’89: FFK po mundohet të na mbyll gojën

Presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka, ka reaguar rreth një dënimi prej një vit pezullim që Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ia shqiptoi presidentit të Prishtinës, Remzi Ejupi. Ky i fundit përmes një interviste kishte dhënë kritika e akuza në adresë së shtëpisë së futbollit. Me këtë rast, një president tjetër ka shpreh shqetësimin e tij se duke e dënuar Remzi Ejupin, FFK po përpiqet t’i frikësojë presidentët e klubeve tjera që mos të flasin edhe kur situata në futboll lë hapësirë për shumë vërejtje.

“Kjo është me shti frikë, mos me fol të tjerët”, ka deklaruar Zeka për “Insporti”.

“Çka nëse na dënojnë edhe neve (presidentët e klubeve të tjera), kujt do t’i mbesin, ai kryetari, sekretari, komiteti Ekzekutiv, për kë do të ekzistojnë”, ka thënë ai.

“Federatës nuk i konvenon ata donatorët e vjetër (Remzi Ejupi) me i eliminu, mos me pas donator të vjetër. Është shumë e pa kuptim federata me dënu një Remzi Ejupi i cili është për mbi 15 vite në futbollin e Kosovës, një ndër kontribuuesit më të mëdhenj edhe nëse Remziu e ka dhanë një deklaratë, nuk e di çfarë, nuk jam për atë unë, unë nuk e di si e kanë marrë këta federatën, e rrugës ka qenë që kryetari, sekretari, i ashtuquajturi Komiteti Ekzekutiv i bërë nga regjionet”, shtoi ai.

Për më tepër, deklarimet e Ejupit i ka përsëritur pak a shumë edhe vet Zeka. “Kujt i kanë jep përgjegjësi që na i kanë hup 15 milionë euro, që nuk kanë mundur t’i inkasojnë për shkak të mos kualifikimit të Kosovës. Është e drejtë e gjithkujt me dhanë mendimin e vet, nëse ka ndonjë dyshim për diçka. Edhe unë, Remziu e çdo kush ka të drejtë me dhanë një mendim, nuk e di deklaratën e Remziut, nashta ka qenë pak e ngutshme, nashta, por këta me u qu edhe me dënu Remziu”, ka shtuar ai.