Presidenti amerikan Donald Trump ka nominuar të shtunën Amy Coney Barret për gjykatëse në Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të zëvendësuar ikonën Ruth Bader Ginsburg që vdiq javën e shkuar.
Duke e quajtur moment krenarie, Trump e ka cilësuar Barretin si një grua me intelekt të mahnitshëm e “besnikëri të paepur ndaj Kushtetutës”.
Sipas tij, Barret është “një nga mendjet më të ndritura të kombit amerikan”.
Nominimi i saj vjen në një kohë kritike, pasi presidenti tashmë ka vënë në pikëpyetje integritetin e zgjedhjeve të reja në SHBA dhe nuk është zotuar se do të dorëzojë lehtë postin nëse humb në përballjen me Joe Bidenin.
Ai vazhdimisht ka përsëritur se Gjykata Supreme duhet të ketë të gjitha nëntë ulëset e zëna para ditës së zgjedhjeve, nëse kësaj gjykate do t’i duhet të merret me çështjen e zgjedhjeve. Ndërsa, kundërshtari i Trumpit, Biden, ka thënë se fituesi i nëntorit duhet të zgjedhë zëvendësuesin e Ginsburgut.
Tani senatorët republikanë janë në pritje për të konfirmuar Barretin para zgjedhjeve. Barret do të ishte gjykatësja e gjashtë, në panelin me nëntë anëtarë, që caktohet nga një president republikan, dhe e treta qysh kur Trumpi është në detyrë.
Vendimi i presidentit për të caktuar një kandidate përpara garës së tij të nxehtë të rizgjedhjes me ish-nënpresidentin Biden menjëherë shkaktoi një betejë të ashpër politike në Washington, me udhëheqësit republikanë të Senatit që argumentuan se procesi i konfirmimit duhet të vazhdojë sa më shpejt që të jetë e mundur, ndërsa demokratët pretendojnë që emërimi duhet të vonohet derisa të dihet fituesi i zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
Në lojë është prirja politike e Gjykatës së Lartë, në të cilën caktohen gjyqtarë që shërbejnë për tërë jetën. Gjykata kishte një shumicë konservatore 5-4 para vdekjes së Ginsburgut. Nëse konfirmohet një gjykatëse konservatore për të zëvendësuar zonjën Ginsburg, shumica konservatore mund të zhvendoset në 6-3.
Kushdo që zgjidhet për të plotësuar vendin bosh do të luajë rol në marrjen e vendimeve kryesore të Gjykatës së Lartë në vitet e ardhshme për një sërë çështjesh të rëndësishme, përfshirë të drejtat e abortit, kujdesin shëndetësor, ligjet e armëve, lirinë fetare, imigracionin dhe lirinë e fjalës.