Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se është e tronditur thellësisht nga humbja e mikes së madhe të Kosovës, Madeleine Albright, ish- sekretare e Shtetit të SHBA-së.
Osmani ka thënë se “ajo na dha shpresë, kur nuk e kishim atë, u bë zëri ynë e krahu ynë kur nuk kishim as zë e as krah”.
“Ajo na dha shpresë, kur nuk e kishim atë, u bë zëri ynë e krahu ynë kur nuk kishim as zë e as krah. E njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, tha Osmani përmes një postimi në Facebook.
Ndryshe, mikja e madhe e shqiptarëve, Madeleine Albright, ka vdekur në moshën 84-vjeçare.
Madeleine Albright ishte gruaja e parë e zgjedhur në këtë post më 1997. Në këtë post shërbeu deri në vitin 2001, në administratën e Bill Clinton.
Albright ka qenë në Sekretare e Shtetit në kohën kur janë kryer sulmet e NATO-s mbi caqet serbe, që kanë çuar në çlirimin e Kosovës.