Një vajzë e kequshqyer në spitalin “Al-Aqsa Martyrs”
Një vajzë e kequshqyer në spitalin “Al-Aqsa Martyrs”, Gaza Foto: AP
Lufta e Izraelit në Gaza ka shkatërruar sistemin shëndetësor të territorit, duke e lënë stafin të paaftë për t’i trajtuar fëmijët e kequshqyer. Më shumë se 50 mijë fëmijëve u duhet trajtimi për kequshqyerje akute, kanë thënë në fillim të këtij muaji nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA). Teksa Izraeli vazhdon ofensivën në Gaza, duke e bllokuar futjen e mjaftueshme të ushqimit në enklavë nga grupet e ndihmave, prindërit thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse t’i shikojnë fëmijët e tyre të vdesin nga uria
Younis rri i shtrirë në një dyshek të gjelbër në spitalin “Nasser”, në Gazën jugore. Qerpikët e tij të gjatë kafeje i pushojnë me delikatesë mbi fytyrën e bardhë, ndërsa ai fle dhe zgjohet përsëri nga gjumi.
Djali 9-vjeçar palestinez rri i shtrirë në krahët e nënës së tij, qartas i lodhur nga kequshqyerja e rëndë dhe problemet nga dehidratimi. Pantallonat i rrinë të varura në këmbët e dobësuara, teksa kafazi i kraharorit i vërehet poshtë bluzës së tij portokalli.
“U bëj thirrje njerëzve me ndërgjegje të më ndihmojnë të gjej kujdes shëndetësor për djalin tim, në mënyrë që ai të kthehet në normalitet”, ka thënë nëna e tij, Ghanima Juma, nga spitali në Khan Younis. “Jam duke e humbur djalin tim para syve të mi”.
Dy muaj më parë familja ishte detyruar të largohej nga qyteti jugor, Rafah, ndërsa Izraeli i ka shtuar sulmet e tij atje. Këto ditë ata luftojnë për mbijetesë, duke jetuar përgjatë bregdetit të ndotur të Asdas – afër kampit “Al-Mawasi” – ku nuk arrijnë të gjejnë mjaftueshëm ushqim, ujë, e as hije për t’iu larguar vapës së Gazës.
“Ne duhet të lëvizim nga një zonë në tjetrën për shkak të luftës dhe pushtimit… Jeta është e vështirë”, ka thënë Juma. “Nuk kemi as tendë mbi kokën tonë”.
Lufta e Izraelit në Gaza e ka shkatërruar sistemin shëndetësor të territorit, duke e lënë stafin të paaftë për t’i trajtuar fëmijët e kequshqyer. Mjekët kanë thënë se janë duke u detyruar t’iu thonë jo prindërve që kërkojnë qumësht për foshnja, duke mos pasur mundësi as t’i ekzaminojnë pacientët e rinj me sëmundje kronike të shoqëruar edhe nga uria akute.
Teksa Izraeli vazhdon ofensivën në Gaza, duke e bllokuar sjelljen e mjaftueshme të ushqimit në enklavë nga grupet e ndihmave, prindërit thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse t’i shikojnë fëmijët e tyre të vdesin nga uria. Më shumë se tetë muaj bombardime e kanë shkatërruar infrastrukturën, i kanë zhdukur komunitetet dhe i kanë mbushur lagjet me mbeturina. Sistemet sanitare – tashmë të prekur nga mungesa e ujit dhe nxehtësia ekstreme – janë shkatërruar thellësisht, sipas OKB-së, duke e pakësuar qasjen në ujë të pijshëm.
Raneem Hijazit i kujtohet nata kur sulmi izraelit ia ka plagosur djalin njëvjeçar Azouz, tani që është shtrirë në një krevat spitali në Doha, Katar, ku është duke marrë trajtim, pasi krahu i majtë i është amputuar dhe të dy këmbët kanë pësuar lëndime të shumta, çka ka kërkuar transplantim të eshtrave për t’i riparuar.
Një raport i publikuar të martën nga Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC), i cili e vlerëson mungesën globale ushqimore dhe kequshqyerjen, ka paralajmëruar se gati e gjithë Gaza do të përballet me urinë gjatë tre muajve të ardhshëm.
Agjencia e OKB-së për ushqim, më herët ka paralajmëruar se Gaza jugore do të përballet me të njëjtin “nivel katastrofik të urisë” si ai i regjistruar në veri, ku Izraeli e ka koncentruar ofensivën në ditët e para të luftës.
Të paktën 34 fëmijë veçse kanë vdekur nga kequshqyerja në Gaza, ka raportuar media qeveritare më 22 qershor. Numri i vërtetë mund të jetë shumë më i lartë, meqë qasja e limituar në Gaza i ka penguar përpjekjet e agjencive të ndihmave për ta vlerësuar plotësisht krizën atje. Më shumë se 50 mijë fëmijëve u duhet trajtimi për kequshqyerje akute, ka thënë në fillim të këtij muaji, agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë (UNRWA).
Izraeli e ka nisur ofensivën në Gaza pas sulmit të Hamasit më 7 tetor në jug të Izraelit, ku të paktën 1200 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 250 të tjerë janë rrëmbyer.
Sulmet izraelite në Gaza që atëherë kanë vrarë 37.658 palestinezë dhe i kanë lënduar 86.237 të tjerë, sipas zyrtarëve të shëndetësisë në Gaza.
Mungesa e madhe e ujit
Teksa Younisi vuan në krahët e nënës së tij në Gazën jugore, fëmijët në veri janë duke u përballur akoma më gjatë me mungesën ushqimore. Në kampin e refugjatëve “Jabalya”, ata presin në radhë te kamioni i ujit, me djersën që u rrjedh në fytyrë, teksa enden në rrugët e mbushura me rrënoja.
Dhjetëra palestinezë të tjerë mblidhen së bashku për të marrë ujë, ndërsa punonjësit e ndihmave ndajnë supë të nxehtë nga kazanët e mëdhenj.
Është qasje e rrallë në ushqim dhe ujë të pastër. Në ver, njerëzit kanë thënë se kohëve të fundit janë duke e përdorur ujin e ndotur, që u ndihmon fare pak me dehidratimin dhe i shpërndan sëmundjet infektuese.
Izraeli insiston se “nuk ka limite” për sasinë e ndihmës që mund të futet në Gaza, por regjimi i inspektimit te kamionëve, kufizimet në rrugët tokësore dhe bombardimet e shtuara, bëjnë të kuptohet se nuk ka lehtësim. Edhe nëse ndihma futet në territor, rreziku që palestinezët e uritur të përplasen mbi autokolona i pengon përpjekjet për shpërndarje. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, kohëve të fundit ka paralajmëruar se mungesa e autoriteteve të policisë në Gaza gjatë konfliktit ka çuar në “paligjshmëri totale”.
Më herët këtë vit, OKB-ja ka paralajmëruar se Izraeli është duke krijuar një “fatkeqësi të shkaktuar plotësisht nga njeriu” në Gaza. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka mohuar pretendimet nga kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, që ai është duke e përdorur “urinë e civilëve si metodë lufte”.
“I vetmi ujë që kemi është uji që e marrim nga ndihmat. Njerëzit janë duke vuajtur si rezultat, është e papërshkrueshme”, ka thënë Hassan Kalash, civil. “Ne jemi të sëmurë dhe nuk kemi mjaftueshëm fuqi për ta transportuar ujin… Gypi i ujit është i prishur. Nuk kemi infrastrukturë të ujit”.
Civilët kanë thënë se nuk kanë qasje në ujësjellës, duke u varur vetëm në ndihmat e pakta që futen në zonë. Të paktën 67% e rrjetit të ujit dhe objekteve sanitare në Rripin e Gazës janë shkatërruar ose dëmtuar nga tetë muaj bombardime, ka thënë UNRWA-ja javën e kaluar. Pesë nga impiantet e trajtimit të ujit në Gaza janë mbyllur, sipas Programit të OKB-së për Ambientin.
Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) i ka akuzuar autoritetet izraelite për pengesë të qasjes humanitare në Gazën veriore. Në tri javët e para të qershorit, 36 kamionë që mbanin ndihma – të lëshuara nga Izraeli – janë lejuar të futen në Gaza, ndërsa 35 të tjerëve u është mohuar, penguar ose anuluar qasja, për arsye logjistike, operacionale ose sigurie.
Ndikimi aty është i tmerrshëm. Në spitalin “Al-Aqsa Martyrs” në Gazën qendrore, 5-vjeçarja Razan mban në gisht një unazë të floririt, e cila është e mbuluar nga plagët. Vajza palestineze është e shtrirë në një karrocë dhe sytë e saj hiri janë të mbuluar nga lodhja.
“Ajo ka ndryshuar pas luftës. Ajo është dobësuar”, ka thënë halla e saj Um Razan Mheitem, duke shtuar se mbesa e saj ka inflamacion të lëkurës për shkak të kequshqyerjes. “Ne nuk mund të gjejmë asgjë për të. Gjithçka në treg është e shtrenjtë, ose nuk është e disponueshme”.
“Po presim që ata të vdesin, një nga një”
Foshnjat e sapolindura dhe gratë shtatzëna janë në mesin e njerëzve më të rrezikuar nga kequshqyerja dhe dehidratimi në Gaza, sipas agjencive të ndihmave dhe punonjësve shëndetësorë. Shtatzënat e paushqyera kanë gjasa më të larta të lindin para kohe, me të porsalindurit që vdesin meqë peshojnë pak.
Në spitalin “Kamal Adwan” në Gazën veriore, mjekët e kanë pasur të pamundur ta mbanin gjallë foshnjën Amal, vetëm katër ditë pas lindjes së saj.
“Këto foshnja janë duke vdekur. Është vendim i Zotit, por është i shkaktuar nga njerëzit”, ka thënë babai i saj, Ahmed Maqat, pas vdekjes së saj. “Samaher ka duruar muaj të tërë të shtatzënisë pa gjumë, bukë ose ujë. Sot, të gjithë të shtrirët në këto krevate janë të rrezikuar nga vdekja. Po presim që ata të vdesin një nga një”, ka shtuar ai, me zërin që i dridhej nga pikëllimi. “Nuk kemi jetë”.
Ahmed Kahlot, kreu i departamentit të inkubatorëve në “Kamal Adwan”, ka thënë se shëndeti i dobët i Samaherit nënkuptonte se vajzën e saj “po e priste vdekja”.
Shumë nga nënat që mbijetojnë janë shumë të dehidratuara dhe të kequshqyera për t’u dhënë gji fëmijëve të tyre. Por punonjësit e shëndetësisë kanë thënë se ka pak alternativa, me mungesë të qumështit pa laktozë ose qumështit të sojës për foshnjat.
Një palestineze tjetër në spitalin “Kamal Adwan” ka thënë se djali i saj, që vuan nga infektimi i ezofagut, e ka të pamundur qasjen në qumështin e sojës, i cili i nevojitet për shkak të gjendjes së tij. “Ai mezi ulet”, ka thënë ajo për fëmijën e saj 2-vjeçar. “Ai as nuk mund të zvarritet e as të ecë”.
Rreth 250 pacientë janë duke u trajtuar për kequshqyerje në spital dhe funksionojnë vetëm dy qendra për fëmijët me kequshqyerje akute në Gaza, ka raportuar OCHA, duke i rrezikuar pothuajse 3000 fëmijë, që kanë qenë duke u trajtuar për kequshqyerje akute në jug, para përshkallëzimit të situatës në Rafah.
Mjekët thonë se shpesh janë të paaftë t’i trajtojnë foshnjat që tregojnë simptoma të kequshqyerjes, duke i përfshirë problemet e frymëmarrjes, infeksionet e kraharorit dhe dehidratimin e rëndë, e gjitha kjo në mes të mungesës së pajisjeve mjekësore. Pacientët e kequshqyer me sëmundje kronike ose infektuese kanë gjasa më të vogla për t’u shëruar, ka thënë një pediatër lokal, teksa rritet përhapja e sëmundjeve në kampet e të zhvendosurve. Autoritetet në Gaza kanë regjistruar më shumë se 1.4 milionë raste të sëmundjeve infektuese që nga 7 tetori, sipas Ministrisë së Shëndetësisë atje.
Ndërsa uria përkeqësohet dhe pjesët e enklavës po shkojnë drejt urisë, agjencitë e ndihmës kanë bërë thirrje të vazhdueshme për hapjen e vendkalimeve tokësore për në Gaza, e cila sipas tyre është mënyra më efektive për të sjellë lehtësim. Porti i ndërtuar nga SHBA-ja, i projektuar për të sjellë ndihma nga deti, është përfshirë nga problemet – prej kushteve të pafavorshme të detit e deri te problemet e shpërndarjes, pasi ndihmat transferohen në tokë – duke dështuar të bëjë ndryshim në krizën e territorit.
Në Khan Younis, Ismail Madi ka thënë javën e kaluar se sa i shqetësuar është për djalin e tij 4-vjeçar, Ahmad, i cili është i sëmurë me verdhëz për shkak të kequshqyerjes.
“Djali im nuk do të jetë në gjendje t’i mbijetojë kësaj”, ka thënë ai. “I bëj thirrje presidentit amerikan, Joe Biden,… për të intervenuar, për ta shpëtuar këtë fëmijë që nuk ka të bëjë me konfliktin politik”.
Por vetëm disa ditë më vonë djali ka vdekur. Me fëmijë të tjerë në rrezik, jeta e Madit si prind është e mbushur me stres.
“Është shumë e vështirë të ushqesh një familje me 10 anëtarë në këto kohë të vështira”.