Kryesia e Këshillit të Prindërve e Prishtinës ka deklaruar ndaj deklaratës së Sindikatës së Arsimit se mësimi mund të mos fillojë më 18 janar ashtu siç është planifikuar nga Ministria e Arsimit.
Këshilli thotë ta ketë analizuar deklaratën e fundit të Sindikatës së Arsimit (SBASHK), me të cilën kërcënojnë me mosfillimin e mësimit nëse nuk bëhet pagesë shtesë (prej 100 euro në muaj) për mësimdhënësit sikurse për stafin e shëndetësisë dhe policisë.
Ata e kanë quajtur të paarsyeshme që në çdo vit shkollor të përmenden grevat për përfitim material nga mësimdhënësit.
“Vlerësojmë të drejtën e garantuar ligjore që secili organizim qytetar a grupor interesash ka për të kërkuar mbrojtje ose avancim të drejtash, por nuk pajtohemi që kjo të bëhet në kurriz ose dëm të një pale tjetër, e aq më pak jo në kurriz të një grupi të shoqërisë ose sektori shumë të ndjeshëm, që janë fëmijët (pra arsimimi e edukimi i tyre). Si prindër, besojmë se kemi të drejtë të bëjmë një gjykim të këtyre deklarimeve të vazhdueshme që nuk tingëllojnë aspak arsyeshëm, që në çdo vit shkollor na përmenden grevat për të vetmin qëllim: përfitimin material të mësimdhënësve. Jo, kontributi i mësimdhënësve (i disa dekadave) nuk mund të kompensohet me para! Dinjiteti dhe respekti shoqëror qëndron në maje të vetëpërmbushjes individuale”, thuhet në njoftim.
Këshilli i prindërve vlerëson se në këtë kohë pandemie, kur të gjithë janë mobilizuar dhe po japin kontribut të çmuar që mësimi mos të ndalet dhe fëmijët të mos pësojnë, deklarimi i SBASHK-ut nuk është as i qëlluar e as i duhur, si në formë e aq më pak në përmbajtje.
“Shkollat nuk janë, dhe nuk mund të jenë, institucione arsimore ku gjithçka varet nga mësimdhënësi, e as nuk janë mësimdhënësit punëtor krahu. Që të kemi proces mësimor funksional patjetër duhet angazhim i të gjitha palëve, fakt të cilin e dinë shumë mirë mësimdhënësit. Andaj, përpjekja për t’i nxjerr vlerën monetare gjithçkaje, kur në fakt nuk është as e mundur as e synuar, e transformon kontributin e paçmuar të mësimdhënies në një pazar fruta-perimesh ku ‘dija dhe edukimi u shitkan me kilogram (!)’. Andaj, si prindër, mendojmë se me këto deklarime SBASHK-u po e cenon të drejtën e fëmijëve në një kohë të rëndë e jonormale, po dalin përmbi hierarkinë institucionale arsimore në vend dhe, nëse vazhdohet kështu, do të dëmtohen pariparueshëm ekuilibrat e bashkëpunimit dhe bashkërendimit brenda shkollave”, thuhet tutje në njoftim.
Për këto arsye prindërit kanë kërkuar nga SBASHK që të reflektojnë dhe të përmbahen nga këto deklarime në kohë pandemie por edhe kohë elektorale politike.
“Nëse kanë vullnet dhe ia duan të mirën edhe mësimdhënësve e edhe fëmijëve, të bashkërendojnë veprimet e tyre me të gjitha palët e interesit dhe jo njëanshëm të caktojnë afate, të hapin e mbyllin vetë vitin shkollor, që tingëllon dukshëm shantazhues, jolegjitim e as institucional. Gjithashtu, ne nuk harrojmë asnjëherë angazhimin vetëmohues të mësimdhënësve, të cilin vlerësim jua deklarojmë vazhdimisht: në klasë, në shkollë, në mbledhje të Këshillave Drejtues dhe Task Forcë. Por as nuk mohojmë kontributin e stafit teknik, drejtorëve të shkollave, personelit tjetër ndihmës e as Drejtorinë Komunale të Arsimit, me gjithë stafin, që në Prishtinë kanë bërë një punë të shkëlqyer. E pa nxënësit, me prindërit a kujdestarët e tyre, e gjithë kjo strukturë, dhe i gjithë procesi edukativo-arsimor, nuk do të kishte as nevojë e as kuptim”, thuhet në njoftim.