Fjalë Kyçe

“Prishtina 01” në futsall arrin në finale të Kupës së Kosovës

“Prishtina 01” në futsall arrin në finale të Kupës së Kosovës

Klubi i futsallit “Prishtina 01” është kualifikuar në finale të Kupës së Kosovës pas fitores bindëse ndaj Vitisë, dhe kjo ka gëzuar bomberin e kësaj skuadre Oso Gjinovci.

Prishtina shënoi fitore prej 7 me 2, me tri gola të realizuara nga Shefki Kamberi, dy nga Oso Gjinovci e nga një gol shënuan Korab Muharremi dhe Agon Ramadani, transmeton Koha.net.

Gjinovci thotë se ekipi e tij kontrolloi nga minuta e parë takimin e sotëm ndaj Vitisë.

“Është një gëzim i madh në kampin e ‘Prishtina 01’, kur dihet që jemi në vitin e parë të themelimit dhe arritëm në finale. Ndeshja ishte gjithmonë në anën tonë sonte, ku patëm shumë raste shënimi. Ne gjithmonë e kontrolluam ndeshjen dhe në fund epilogu doli 2 me 7 në të mirë të ‘FC Prishtina 01’”, ka thënë Gjinovci.

Në finale Prishtina 01 do të përballet me Liburnin, që në “Shani Nushi” e mposhti klubin nga kryeqyteti FC Prishtina me rezultat prej 8:3.

Gjinovci e sheh si kundërshtar të fortë Liburnin, megjithatë është optimist se Kupa do të mbetet në duart e Prishtina 01.

“Përballemi me një kundërshtar tepër të fortë, me një ekip shumë të komponuar. Por, presim që më 17 shkurt ta befasojmë edhe Liburnin dhe Kupa të mbetet në duart e FC Prishtina 01”, – u shpreh ai për Koha.net, duke shtuar me shaka – “përkatësisht në duart e bomberit Gjinovci haha”.