Fjalë Kyçe

Prishtina e bindur se do të luajë në “Final Four” të BIBL-it

Prishtina e bindur se do të luajë në “Final Four” të BIBL-it

Sigal Prishtina ende nuk e ka siguruar paraqitjen në “Final Four” të Ligës Ballkanike, por trajneri Ante Nazor është i bindur se ekipi i tij do të jetë në mesin e katër ekipeve më të mira të BIBL-it që do të luftojnë për titullin e kampionit. Prishtina të martën mbrëma lëshoi një mundësi të artë, pasi u mposht në Izrael nga Hapoel Elioni (95:84), që tashmë ka konfirmuar pjesëmarrjen në “Final Four”. Pas ndeshjes në Izrael, Prishtina ka marrë rrugën drejt Bullgarisë, ku të enjten do të përballet me skuadrën e Levskit. Kjo ndeshje i takon xhiros së fundit të Grupit C në kuadër të fazës së dytë grupore të BIBL-it dhe vendos për renditjen përfundimtare të ekipeve para dueleve çerekfinale. Dueli mes Levskit e Prishtinës nis në orën 16:30, ndërsa javën e kaluar ekipi bullgar pësoi në kryeqytet 66:63.

Aktualisht, dy ekipet kanë bilanc të njëjtë – tri fitore e dy humbje – por Levski zë vendin e dytë në grup derisa Prishtina renditet e treta. Varësisht prej renditjes pas ndeshjes së fundit të fazës së dytë të grupeve të BIBL-it, Prishtina do t’i luajë edhe dy ndeshje vajtje-ardhje në kuadër të çerekfinales për ta siguruar një vend në plejof. Për kundërshtar, Prishtina do ta ketë njërin prej ekipeve të Grupit D – Maccabi Haifan apo BC Balkanin. Pavarësisht humbjes të martën mbrëma, trajneri Nazor beson në ekipin e tij ndaj Levskit. Nëse Prishtina përfundon e dyta në grup, atëherë do të luajë me vendin e tretë të grupit tjetër. Prishtina tashmë e ka kaluar fazën e parë të grupeve me sukses dhe po synon kualifikimin në “Final Fourin”, të cilin ka gjasa ta organizojë në kryeqytet në rast se kualifikohet në mesin e katër ekipeve më të mira të këtij sezoni.

Krahas Hapoel Elionit, në “Final Four” është kualifikuar edhe një ekip tjetër nga Izraeli, Ironi Nahariya, por nga Grupi D.

“Do të tentojmë të bëjmë një paraqitje të mirë ndaj Levskit. Mbi të gjitha të luajmë mbrojtje të fortë dhe të jemi efikas në sulm. Mendoj se jemi në pozitë të mirë të sigurojmë ‘Final Fourin’ e Ligës Ballkanike dhe kjo do të thotë shumë për zhvillimin e ekipit tonë të ri. Do të na ndihmonte shumë që të përgatitemi sa më mirë për plejofin e Superligës së Kosovës”, ka thënë Nazor për KOHËN.

Prishtina është ekipi i vetëm nga Kosova që këtë edicion po paraqitet në BIBL. Në fakt, ishte edhe skuadra e Pejës që kishte paralajmëruar pjesëmarrjen në këtë garë, por në momentet e fundit u largua nga krerët e ligës për shkak se thuhej se kishte refuzuar të konfirmonte orarin e garave, si dhe nuk kishte përmbushur obligimet financiare ndaj BIBL-it në afatet e përcaktuara. Megjithatë, Prishtina është ekipi më i suksesshëm kosovar në këtë ligë, të cilën e ka fituar dy herë, në sezonin 2014/15 dhe 2015/16. Për skuadrën e Prishtinës, kjo është pjesëmarrja e pestë në Ligën Ballkanike. Në të shkuarën, Kosovën në këtë ligë e kanë përfaqësuar edhe Peja, Bashkimi e Rahoveci, por që suksesin më të madh e ka Prishtina.