Fjalë Kyçe

Prishtina tallet keq me Ismet Munishin, pak pasi e mposhti në fushë

Prishtina tallet keq me Ismet Munishin, pak pasi e mposhti në fushë

Prishtina është tallur me trajnerin e Ballkanit, Ismet Munishin, pak orë pasi e mposhti në fushën e lojës në finale të Kupës së Kosovës të mërkurën, duke lartësuar trajnerin e vet, Armend Dallkun, njëkohësisht.

Prishtina e fitoi trofeun e shtatë të Kupës së Kosovës dhe të parin nën udhëheqjen e trajnerit Armend Dallku, pasi e mposhti 1:0 Ballkanin falë golit të Otto John në Stadiumin Fadil Vokrri, raporton Gazeta Express.

Dallku e mori drejtimin e ekipit të parë të Prishtinës pas një periudhe të suksesshme me ekipin U-19 dhe, përveç trofeut, ia ka siguruar edhe një vend në kualifikime për pjesëmarrje në Ligën e Evropës për herë të parë pas vitit 2018 dhe të tretën në histori të klubit.

E Ballkani i Munishit mbeti pa trofe dhe pa kualifikime për garat evropiane, megjithëse u mendua se do të ndodhtë e kundërta pas një sezoni mbresëlënës të skuadrës nga Suhareka nën udhëheqjen e tij.

Pas ndeshjes, Dallku tha se e kishte studiuar mirë lojën e Ballkanit dhe se qëllimisht i kishte pushuar lojtarët kryesorë në dy ndeshjet e fundit në Superligë për të qenë sa më të freskët për finale.

E kemi përgatitur mirë ndeshjen. Kundërshtarin e kemi goditur nga krahët me Otto Johnin dhe Gauthier Mankendan. Në dy ndeshjet e fundit i kemi pushuar lojtarët për t’i ruajtur për këtë ndeshje. Kjo doli shumë pozitive”, tha Dallku pas ndeshjes.

Dhe, disa orë pas ndeshjes, Prishtina u tall me Munishin duke shkruar në Facebook se Dallku e kishte dribluar atë.

“Dallku dribloi Munishin. Viti i parë – trofeu i parë”, shkroi Prishtina në llogarinë e vet zyrtare në Facebook.