Fjalë Kyçe

Pritja e “pafundme” e emërimit apo jo të Kryeprokurorit të Shtetit, vendimi në duart e Osmanit

Pritja e “pafundme” e emërimit apo jo të Kryeprokurorit të Shtetit, vendimi në duart e Osmanit

Kanë kaluar më tepër se gjashtë muaj që nga koha kur vendi është pa Kryeprokuror të Shtetit.

Në fakt, kjo pozitë po vazhdon të drejtohet nga ushtruesi i detyrës, Besim Kelmendi.

Dekretimi apo jo i Kryeprokurorit të propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, Blerim Isufaj, vazhdon të mbetet “peng” në duart e presidentes Vjosa Osmani.

Presidentja Osmani vazhdon të mos marrë vendim, duke e miratuar apo refuzuar këtë vendim. Madje kjo nuk ka ndodhur as pas refuzimit të ankesës nga Kushtetuesja të kandidatëve, Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti, të cilët e kundërshtuan propozimin e Isufajt për Kryeprokuror.

E nga Zyra për Informim e presidentes Vjosa Osmani, për muaj të tërë kanë vazhduar të mos flasin lidhur me këtë çështje.

Pavarësisht pyetjeve të shumta, nga kjo zyrë kanë vendosur të mos përgjigjen fare, deri më sot.

Por edhe sot, këta të fundit kanë ripërsëritur deklaratën e presidentes Vjosa Osmani, të cilën e pati së fundi në takim me U.D së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi dhe kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku.

Në vazhdën e shumë diskutimeve, aty u diskutua dhe për zhvillimet aktuale rreth procesit të nominimit dhe emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit.

“Presidentja ritheksoi qëndrimin e saj se do të pritet deri në përfundim të të gjitha procedurave gjyqësore në gjykatat e vendit në sistemin tonë të drejtësisë, para se Presidentja të marrë vendimin e saj për propozimin e KPK-së”,tha Osmani.

Sipas saj, një qasje e këtillë, është e domosdoshme për ta ruajtur sigurinë juridike dhe për ta siguruar shfrytëzimin e papenguar dhe efektiv të mjeteve juridike nga kundërkadidatët, si dhe për ta garantuar besimin qytetar në proces pas vërejtjeve nga shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë.

E monitoruesit e këtij procesi të përzgjedhjes së kryeprokurorit në të shumtën e rasteve kanë deklaruar se presidentja Osmani, tanimë do të duhej të merrte vendim për propozimin e Isufajt për këtë pozitë.

Sipas organizatave që monitoruan procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit, ky proces kishte shumë parregullsi dhe shkelje, për çka i kanë dërguar edhe komentet e tyre në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Ndaj këtij procesi kishin reaguar edhe ambasada britanike e gjermane si dhe zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke u shprehur të zhgënjyera me procesin.

Ndryshe, refuzimi apo miratimi i vendimit për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Blerim Isufajt, është një prej vendimeve të pakta që këso kohe iu desh të merrte presidentes Osmani.

Për shkak të zhvillimeve jo dinamike në kuadër të presidencës, Vjosa Osmani që nga marrja e mandatit nuk pati edhe shumë vendime për të marrë.

Por siç duket pritja në kuadër të emërimit apo jo të Isufajt do të zgjasë edhe ca.

Kësisoj “pritja e tejzgjatur” e sistemit prokurorial të Kosovës, do të vazhdojë deri në bindjen e presidentes Osmani që të emëroj apo jo Blerim Isufajn.

Ndryshe më 21 prill të këtij viti, Aleksandër Lumezi ka përfunduar mandatin si Kryeprokuror i Shtetit të Kosovës.

I njëjti përfundoi mandatin të cilin e kishte marrë më 21 prill të vitit 2015.

Lumezi ishte një nga figurat më të komentuara të sistemit të hetuesisë dhe drejtësisë në vend.

I njëjti shpesh herë u akuzua nga opozita e viteve të mëparshme, saktësisht nga Lëvizja Vetëvendosje, por pavarësisht kësaj ai vazhdoi në drejtimin e Prokurorisë së Shtetit deri në përfundim të mandatit