Fjalë Kyçe

Problemi me qen endacakë, AUV-i fajëson institucionet komunale

Problemi me qen endacakë, AUV-i fajëson institucionet komunale

Drejtori i mirëqenies së kafshëve në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës në Kosovë, Nol Kabashi, në emisionin “Sot” në KTV ka folur për problemin e qenve endacakë.

Ai ka thënë se AUV-i ka bërë të gjitha që ka mundur, nga hartimi i udhëzimeve administrative e legjislacioneve e po ashtu edhe inspektimi, porse kanë qenë institucionet komunale e po ashtu edhe qeveritë qendrore ndër vite që e kanë neglizhuar këtë çështje.

Kabashi ka thënë se AUV-i, më saktësisht drejtoria e mirëqenies merren me çështje tjera, nga inspektimi i femrave, therjes së kafshëve për ushqim.

“Arsyeja ka qenë se kemi pasur një moskuptim të problematikës me qen endacakë. Moskuptim nga kuvendet komunale e mosarritje të zgjidhjes së problemit qysh e ka parashtru ligji”, ka thënë Kabashi.

E Elsa Ramadani nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve, ka thënë se zgjidhja e këtij problemi së pari është identifikimi i pronarëve që mbajnë kafshë shtëpiake e po ashtu edhe inspektimi.

“Kemi kërkuar nga institucionet së pari nga Qeveria e Kosovës që të ndahet buxheti edhe këtë vit për kastrimin e sterilizimin. Të bëhet urgjentisht regjistrimi i kafshëve me pronarë, pasi pa i monitoruar gjendjen e kafshëve me pronarë nuk do të ketë asnjëherë zgjidhje për qenët endacakë. Ne kërkojmë prej institucioneve të monitorohen edhe veterinarët që mbarështojnë e shesin kafshë. Shumë prej veterinarëve e jo vetëm shitoret importojnë kafshë ilegalishtb në Kosovë, shesin ato nuk mbajnë evidencë për shitje të kafshëve. Për këto arsye, më pas kemi braktisje të kafshëve çdo ditë. Gjejmë qen të ngordhur urie nëpër shtëpi të vjetra të braktisura. Hiq më pak se tri ditë gjetëm një qen të lidhur që ishte lënë të ngordh urie për shkak të neglizhencës institucionale. Shteti duhet të inspektojë gjendjen e qenve që janë me pronarë. Ne e dimë se për 5 vjet nuk zgjidhet kjo çështje, por duhet filluar diku”, ka thënë Ramadani.

Ajo ka kritikuar AUV-in për mungesë të inspektimeve.

Ndërkohë ka bërë thirrje qytetarëve që të dhurohen batanije apo edhe shtëpiza e të vogla në këtë kohë të ftohtë për të ndihmuar qenët endacakë. Po ashtu të sigurohen ushqime.

“Në këtë të ftohët e dimë se kafshët endacake e kanë të vështirë mbijetesën, veçanërisht këlyshët e kotelet”, ka thënë Ramadani. “Kemi këlysh e kotele për shkak të neglizhencave institucionale në procesin e kastrimit e sterilizimit”.

Kabashi ndërkohë ka thënë se këtë vit do të fillojë identifikimi i kafshëve me pronarë dhe se do të dihet afërsisht numri. Ai ka insistuar se AUV, e institucionet qendrore kanë bërë të pamundur për të kryer obligimet për komunat për këtë problematikë. Madje edhe ka kryer logjistikën, planifikimin e ndërtimin e qendrave. Ai ka thënë se janë krijuar 29 qendra me klinika brenda tyre për trajtimin e kafshëve endacake.

“Për të rregulluar problemin ka të drejtë Elsa se duhet të ketë identifikim të kafshëve me pronarë. Kemi punuar së bashku në hartimin e udhëzimit administrativ për identifikimin e kafshëve, edhe po ashtu për çështjen e shitjes e mbarështimin e kafshëve. Të mos ndodhë shitja ilegale që ndodh sot. Kemi hyrë në fazën e fundit që të rregullohet ky problem. Në bazë të identifikimit të kafshëve, që fillon këtë vit, ne do të dimë afërsisht numrin sa qen kemi me pronarë, pasi procesi do të zgjasë. Qenët endacakë do të identifikohen në bazë të kontratave që do të marrin prej komunave. Si Agjenci më nuk do të mund të kryejmë këtë problem logjistik të komunave”, tha Kabashi.

Po ashtu u bisedua edhe për çështjen e vetëdijesimit për këtë problem.

Komunat e AUV-i në vazhdimësi ia hedhin fajin njëra tjetrës për çështjen e qenve endacakë.