Avokati Palushi ka thënë se nga Gjykata Speciale do të ketë një proces të gjatë, duke shtuar se nuk po flitet për një ose dy vjet, por më shumë se pesë.
Ai ka thënë se nëse mbrojtja insiston që të ketë kohën e njëjtë sikurse prokuroria për të përgatitur mbrojtjen e saj, atëherë mund të ketë formalisht pesë vjet të përgatitjes së mbrojtjes.
Rrjedhimisht, sipas tij, vetëm pas pesë vjetëve mund të ketë gjykim të shkallës së parë.
“Megjithatë një dallim që duhet bërë është se në Speciale nuk zbatohet Kodi i Procedurës Penale me të cilën ne e njohim. Ne tashmë jemi mësuar që Prokuroria e ka një afat kohor brenda të cilit duhet të hetojë dhe të sigurojë prova dhe në momentin që ngritët aktakuza nuk ka të drejtë më të zhvillojë hetime”, ka thënë ai.
Palushi ka thënë se kjo rregullore është konfirmuar nga dhoma e posaçme i Gjykatës Kushtetuese në Dhomat e Specializuara, duke shtuar se ato dispozita të cilat kanë shkelur të drejtat procedurale të palëve në procedurë janë larguar.
“Ne po e shohim tash zbatimin e rregullores në praktikë, ku një interpretim e ka Prokuroria sipas të cilit mund të zhvillojë hetime, mund të thërras viktima të reja, e të zhvillojë bastisje, megjithatë mbrojtja do të ketë një argument tjetër, ku thotë se në lidhje me aktakuzën e tillë nuk mund të hetosh”, ka thënë ai.