Fjalë Kyçe

MTI thotë se produktet serbe nuk hyjnë përmes kontrabandës

MTI thotë se produktet serbe nuk hyjnë përmes kontrabandës

Ministri serb i Tregtisë, Rasim Ljajiq ka shokuar me deklaratën e tij për futjen e mallrave serbe në Kosovë nëpërmjet kontrabandës.

Doganat e Kosovës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës kanë mohuar një gjë të tillë, mirëpo Ljajiq tingëlloi mjaftë bindës në deklaratat e tij.

“Nëse shikohet në veri apo në jug të Kosovës, gjithkund mund të hasen mallrat nga Serbia të cilat mbërrijnë atje përmes rrugëve të ndryshme”, tha Ljajiq.

Deklarimi kontrovers i ministrit serb nuk përfundoi me kaq, ai madje theksoi se mallrat serbe shkojnë së pari në Kroaci e Maqedoni ku ripaketohen dhe nga atje transportohen për në Kosovë si mall i Kroacisë, shkruan lajmi.net.

E në lidhje me këtë, lajmi.net ka diskutuar edhe me zëdhënësin e Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci.

Ai ka thënë për lajmi.net se nuk ka ndonjë dallim të madh nga viti i kaluar dhe tash sa i përket tentimeve për kontrabandë.

“Ne kemi pasur raste që i kemi zënë, por statistikat tregojnë se janë pak a shumë rastet e vitit të kaluar, por këtë vit e kemi dallim që kemi zënë 3 maune të cilat kanë tentuar të hyjnë nga rrugët dytësore nga Mitrovica e Veriut”, ka theksuar Stavileci.

Ai për deklaratën e Ljajiq tha shkurt se kjo mund të përkthehet se Serbia në mënyrë institucionale po e përkrah kontrabandën dhe krimin e organizuar.

Në anën tjetër, Elhami Ismajli, zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ka shpjeguar për lajmi.net urdhëresën e marrë nga ministri Endrit Shala.

“Ministri Endrit Shala e ka marrë një urdhëresë që obligon Inspektoratin e MTI-së, por njëkohësisht edhe Inspektoriatet Komunale që me i kontrollu të gjitha dokumentet e produkteve nëse përputhen me ato që shiten nëpër markete. Kjo në mënyrë që të mos ketë mundësi manipulimi dhe me e ulë mundësinë e futjes së mallrave pa dokumente”, tha Ismajli për lajmi.net.

Ai tregoi se nëse në markete hasen mallra të tilla që nuk mund të mbulohen me dokumentacionin përkatës, atëherë do të konfiskohen nga Inspektoriati.

Ismajli po ashtu ka theksuar se konsumi i produkteve serbe ka rënë dukshëm pasi njerëzit e kanë kuptuar se nuk bën të konsumohen produktet serbe.

Ndërsa duke komentuar mundësinë e hyrjes së mallrave nëpërmjet rrugëve dytësore, Ismajli tha se kontrollin dhe ruajtjen e kufijve e bën Policia e Kosovës, Doganat e Kosovës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Duke komentuar mbi deklaratën e ministrit të jashtëm Ljajiq, Ismajli tha se kjo është deklaratë spekulante.

“Nëse e shohim logjikisht është absurde, sepse imagjino ministri i një shteti po e stimulon kontrabandën. Është deklaratë politike, spekulante, për t’i vënë në lajthitje bizneset dhe faktorin ndërkombëtar”, tha Ismajli.

Sa i përket pjesës tjetër të deklaratës se produktet serbe po ripaketohen në vende si Maqedonia dhe Kroacia, Ismajli tha se është hasur vetëm një rast që është kthyer mbrapsht.

“Nuk është e vërtetë që ripaketohen produktet.  Dogana e Kosovës e ka hasë një rast të tillë dhe MTI ka urdhëruar që kjo maune të kthehet mbrapsht, është një brend serb që ka tentuar të ripaketohet në Maqedoni dhe të hyjë në Kosovë por është kthyer mbrapsht”, përfundoi Ismajli.

Vlen të theksohet fakti se në marketet e Kosovës ani pse ka kaluar shumë kohë nga vendosja e taksës ende ka shumë produkte serbe.