Fjalë Kyçe

Projektligji për pagat ngjalli pakënaqësi, këto janë institucionet që s’po pajtohen me pagat

Projektligji për pagat ngjalli pakënaqësi,  këto janë  institucionet që s’po pajtohen me pagat

Kuvendi i Kosovës, pas rreth 8 orësh debati, diskutimi, amendamentimi, ka arritur që të kalojë me 62 vota për, asnjë kundër dhe vetëm një abstenim, Ligjin për pagat për shërbyesit civilë.
Në kuadër të këtij Ligji, Kuvendi ka futur edhe punonjësit e Radiotelevizionit të Kosovës, për ç’gjë, udhëheqësit e RTK-së kanë hedhur kritika të ashpra.
Pagat në këtë institucion do të rregullohen me Ligjin për pagat sikurse për secilin shërbyes publikë.
I vetmi që ka kundërshtuar këtë propozim ishte shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi.
“Propozoj që edhe formalisht në Ligjin për RTK-në, ky televizion të shndërrohet në televizion shtetëror. Por, dijeni se ky është gabim”, ka thënë Krasniqi, pasi nuk u votua propozimi i tij për heqje të amendamentit që e përfshinte RTK-në në Ligjin e Pagave.
Kurse deputeti tjetër i PDK-së, Nait Hasani, ka thënë se secili që merr pagë nga Buxheti i shtetit duhet të rregullohet me Ligj.
Futja e punonjësve të RTK-së në Ligjin për paga për shërbyesit civilë ka bërë që edhe drejtuesit dhe sindikata e këtij televizioni të dalin kundër.
Drejtori i Përgjithshëm në detyrë i RTK-së, Mufail Limani, ka thënë se vendimi i sotëm i Kuvendit të Kosovës për përcaktimin e koeficientit të drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, brenda Ligjit për Paga, është një vendim i cili më së paku ka të bëjë me vetë postin, por në substancë ka të bëjë më vendimmarrjen për paga të të punësuarve në RTK, pra më pavarësinë financiare si parakusht për pavarësinë editoriale.
“Me ligjin për RTK, i cili është në fuqi dhe me atë që është në procedurë, duke pasur për bazë normën së pavarësia financiare është parakusht i pavarësisë editoriale, çështja e pagesave për të gjithë të punësuarit dhe drejtuesit e RTK-së është lënë brenda instancave të RTK-së. Vazhdojmë të besojmë se me Ligjin e ri për RTK do të largohet në masë të nevojshme financimi i RTK-së nga institucionet me karakter politik, me çka do të krijohen bazat për rikthimin e vendimmarrjes financiare brenda RTK-së”, ka thënë Limani.
Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (SPRTK), futjen e RTK-së në Ligjin e pagave për shërbyesit civilë, e ka quajtur veprimin më skandaloz të Kuvendit të Kosovës.
Kjo sindikatë thotë se pas 20 vjet funksionimi të RTK-së, “i ndërtuar në bazë të parimeve më demokratike të mundshme të vlerave perëndimore, sot iu dha fund këtyre parimeve”.
“Sot u kthyem në kohën e monizmit, sot deputetët vendosën që definitivisht politika ta fus nën kontroll të plotë Transmetuesin Publik dhe në këtë mënyrë të fillojë rrënimi i shpejtë i tij. Nëse synimi i Republikës së Kosovës është anëtarësimi në BE dhe t’i përqafojë vlerat perëndimore, me sot kjo ka marrë fund! Sepse ndërrimi i statusit të gazetarëve në shërbyes shtetërorë është e papranueshme për vendet e Bashkimit Evropian”, thuhet në reagimin e SPRTK-së.
Më tej, në reagim, kjo sindikatë thotë se janë munduar që ta ndalojnë këtë gjë, por “fatkeqësisht nuk arritëm pasi që fatkeqësisht në Kuvendin e Kosovës ka disa deputetë që nuk po dëshirojnë vlera demokratike”.
SPERTK thotë se do të ashpërsojë format e protestës deri në bllokimin e programit të RTK-së derisa të miratohet ligji i Transmetuesit Publik.
“Nuk do të lejojmë që deputetët e Kuvendit të Kosovës, votues të të cilëve jemi edhe ne punëtorët e RTK-së, që për pazare personale ta bllokojnë ligjin e RTK-së, prej të cilit varen rreth 800 familje kosovare. Kërkojmë që gjatë kësaj seance të votohet edhe ligji i RTK-së, sepse nuk ka asnjë arsye të mos votohet më dhe në këtë mënyrë të korrigjohet gabimi i madh që bënë deputetët me futjen e RTK-së në ligjin e pagave”, thotë SPRTK, ndërsa kërcënon se “nëse kjo nuk do të ndodhë shpejt, atëherë pasojat do të jenë të mëdha”.
Kundër amendamentit të Projektligjit për paga për vendosjen e koeficientit nga 1 deri në 7 për punëtorët e ndërmarrjeve publike, ka dalë edhe Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike, KOSTT.
Kryeshefi i saj, Ilir Shala, e ka cilësuar këtë si ditë të rëndë për ndërmarrjen KOSTT. Ai ka thënë se është nënçmim, degradim dhe poshtërim për gjithë stafin e KOSTT-it ky nivel i koeficientit, duke marrë parasysh përgjegjësitë e ndërmarrjes.
“KOSTT-i nuk mund të krahasohet me kompaninë e pastrimit, ujësjellësit, ndërmarrjeve publike të tjera në Kosovë”, ka shkruar Shala në rrjetin social Facebook.
Përfshirjen në Ligjin për paga në Sektorin Publik si të dëmshëm e ka cilësuar edhe Agjencisë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA).
Kjo agjenci vlerëson se përfshirja e saj në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, është në kundërshtim me praktikat e Komisionit Evropian për pavarësinë e Agjencive që menaxhojnë trafikun ajror, “kur dihet mirëfilli së të hyrat e tyre gjenerohen nga shërbimet e navigimit ajror që u ofrohen aviokompanive ajrore”.
“Po ashtu, përfshirja në Ligjin e Pagave bie ndesh edhe me Nenin 5.5 të Ligjit Nr. 04/L-250 për Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, ku theksohet se; ‘ASHNA ka kapacitet të plotë juridik dhe vepron si një ofrues i shërbimeve jofitimprurëse, i cili mbulon shpenzimet dhe bazohet në performancë’”, thotë ASHNA në reagimin e saj dërguar mediave.
ASHNA thotë të mos ketë qenë e njoftuar se është përfshirë në këtë ligj, pasi që deri në dorëzimin në Kuvendin e Kosovës nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka qenë e përjashtuar nga ky ligj, mirëpo është përfshirë në ligj nga ana e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike.
“Andaj, menaxhmenti i ASHNA-s, duke shprehur shqetësimin e tij, shpreson se përfshirja e ASHNA-s në këtë ligj nuk do të ndikojë në mbarëvajtjen e rregullt të punës në këtë institucion”, deklaron ASHNA në reagimin dërguar mediave.
Ndërkaq, analisti Agron Demi thotë se sot u aprovua Ligji për paga, ku edhe njëherë sektorit publik iu rritën pagat, e sektori privat, sipas tij, “vazhdon të paguajë këtë rritje”.
Demi ka kujtuar vitin 2017 dhe ka krahasuar pagat e sektorit publik me atë privat me vitin 2019.
“2017: Të punësuarit në sektorin publik punojnë mesatarisht 32 orë në javë dhe në mesatare marrin pagë mujore prej 554 euro. Të punësuarit në sektorin privat punojnë mesatarisht 48 orë në javë dhe marrin pagë mesatare mujore prej 416 euro. 2019: Sot u aprovua Ligji për paga, ku edhe një herë sektorit publik iu rritën pagat, e sektori privat vazhdon të paguajë këtë rritje. Kjo vetëm me social-demokraci nuk ka lidhje”, shkroi Demi në Facebook.