Fjalë Kyçe

Prokuroria do të thërrasë 16 dëshmitarë në rastin ndaj Mustafës

Prokuroria do të thërrasë 16 dëshmitarë në rastin ndaj Mustafës

Në rastin ndaj Salih Mustafës, të akuzuar për krime lufte nga Gjykata Speciale, do të thirren 16 dëshmitarë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Në një paraqitje publike të hënën, prokurori i rastit ka thënë se kjo zyrë do të mbështetet në pesë dëshmitarë për qëllimet e aktakuzës së konfirmuar, ndërsa më pas do të shtohen edhe 11 dëshmitarë tjerë në listë.

Në anën tjetër, pala mbrojtëse e Mustafës nuk ka pasur komente shtesë pos atyre të parashtruara me shkrim, teksa s’ka dhënë as numër përfundimtar për dëshmitarë apo materiale shkresore.

Prokuroria ka thënë se do të paraqesë para gjykatës prova shkresore, raporte, fotografi, dokumente të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, urdhra e publikime të tjera.

Prokurori po ashtu ka thënë se materiali me deklarata të dëshmitarëve, të transkriptuara, do të dorëzohet brenda afatit ligjor.

Në anën tjetër, mbrojtja ka thënë se nga materialet që ka parë përmendet një libër, për të cilin ka shtuar se nuk e di a do t’i jepet si pjesë e provave. Prokurori është përgjigjur se libri në fjalë do të jetë pjesë e provave dhe do të dorëzohet para afatit prej 30 ditësh.

Pas deklarimeve të palëve, gjykatësi ka kërkuar për pauzë, ndërsa ka bërë të ditur se pjesa e dytë s’do të ketë transmetim.