Prokuroria Speciale ka ngrehur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj B.Sh. dhe M.Q. për spiunazh.
Prokuroria ka njoftuar se pas zhvillimeve të hetimeve ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar se ata kanë kryer veprën penale “Spiunazhi”.
“Për dy të pandehurit B.Sh dhe M. Q. ekziston dyshimi i bazuar mirë se secili veç e veç, me veprimet e tyre e kanë kryer veprën penale ‘Spiunazhi’ nga neni 124 paragrafi 3 i KPRK–së, kurse, i pandehuri M.Q edhe veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve’ nga neni 366 par. 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Prokurori i shtetit nga Prokuroria Speciale i ka propozuar gjykatës që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të njëjtit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënoj sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, prokurori i rastit, ka kërkuar nga gjykata që të pandehurve tu vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor, ngase ka vlerësuar se ende ekzistojnë kushtet ligjore për vazhdimin e masës së tillë.
B.Sh. ka qenë punonjës i Doganës së Kosovës, por nga ky institucion patën sqaruar se ai ishte pushuar nga marrëdhënia e punës në doganë dy dekada më parë.
Ata ishin arrestuar në qershor të vitit të kaluar, me dyshimet për spiunazh me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA).