Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar të enjten se ka nisur hetime pas raportimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është përfshirë në procedurën e transportimit të votave. Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se deri tash nuk ka evidentuar ndonjë vërejtje në protokollet e tërheqjes së dërgesave postare nga kutitë e KQZ-së
Gazeta “InFokus” ka shkruar të enjten se Berishaj ka tërhequr zarfe me vota nga posta dhe i ka dorëzuar në ambasadën e Kosovës në Kroaci, ku drejton misionin diplomatik. Vetë Berishaj s’ka reaguar publikisht për rastin.
Ndërkohë, pas raportimit, Prokuroria ka thënë se ka nisur hetimet nëse ka elemente të ndonjë vepre penale që lidhet me procesin e zgjedhjeve.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se në vazhdën e aktiviteteve për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pas raportimeve për keqpërdorimet e mundshme të Ambasadorit M.B. rreth procedurës së transportimit të votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës në diasporë, ka filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore nëse në raportimet në fjalë përmbushen elementet e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve, me qëllim të ruajtjes së këtij procesi. Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim dhe koordinim me të gjitha organet ligjzbatuese, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim të parandalimit të dëmtimit të procesit zgjedhor”, thuhet në njoftim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
E Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me një sqarim. KQZ-ja ka thënë se deri tash nuk ka evidentuar ndonjë vërejtje. Ka njoftuar se dërgimi i materialeve në përfaqësi diplomatike, do të bëhet përmes rrugëve tokësore nga zyrtarët e KQZ-së, me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për të cilën ka thënë se “i ka siguruar automjetet transportuese, të cilat do të drejtohen nga zyrtarët e saj”.
“Deri më tani, në disa raste, KQZ ka tërhequr pakot me fletëvotime, të cilat janë dërguar për të qëndruar përkohësisht në përfaqësi të ndryshme diplomatike, respektivisht në dhomat e tyre të sigurisë, ku vëzhgohen vazhdimisht nga kamerat. Këto tërheqje janë zhvilluar në një proces transparent, me njoftimin paraprak të vëzhguesve të subjekteve politike, të cilët nuk kanë evidentuar ndonjë vërejtje në protokollet e tërheqjes dhe në praninë e zyrtarëve të KQZ-së. Gjithashtu, KQZ sqaron se sjellja e pakove me fletëvotime dhe materialeve të tjera zgjedhore në Republikën e Kosovës do të bëhet nën shoqërimin e vazhdueshëm të zyrtarëve të KQZ-së, me statusin e dërgesave diplomatike”, thuhet në sqarim.
KQZ-ja ka thënë se është siguruar që transporti të jetë i sigurt, pa ndonjë problem dhe që të ruhet integriteti i procesit dhe materialeve zgjedhore.
“Ky lloj i transportit ka karakterin diplomatik, me elementet shoqëruese, siç janë notat verbale, çka e shton sigurinë e ngarkesave.Ky vendim për këtë mënyrë transportimi është marrë pasi procedura tenderuese për shërbimet postare është në fazën e ankesave, gjë që e ka bërë të pamundur nënshkrimin e kontratës me operatorin ekonomik fitues”, thuhet më tej në sqarim.