Fjalë Kyçe

Prokuroria nis hetimet rreth dyshimeve për afera korruptive në disa ministri të Qeverisë Kurti

Prokuroria nis hetimet rreth dyshimeve për afera korruptive në disa ministri të Qeverisë Kurti

Pas aludimeve për korrupsion në ministri të ndryshme të cilat u publikuan dje, Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar opinionin se tashmë ka nisur hetimet.

Përmes një njoftimi për media, Prokurori i Shtetit ka bërë të ditur se ka filluar procedurën e verifikimit dhe hetimit për të gjitha shkrimet e publikuara në media.

“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se ka filluar procedurën e verifikimit dhe hetimit për të gjitha shkrimet e publikuara ditëve të fundit në media lidhur me rastet e dyshuara për korrupsion”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, dje Partia Demokratike e Kosovës, në një konferencë për media denoncuar siç pretendojnë ata keqpërdorimin e 1.1 milion eurove, nga ministrat Donika Gërvalla dhe Fikrim Damka.

“Fjala është për një “Memorandum Bashkëpunimi”, në mes të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Caritas-it Zviceran, në bazë të të cilës, buxheti i Republikës së Kosovës shpenzohet kundërligjshëm në shumë prej 1 milion e 40 mijë euro. Kjo marrëveshje, është nënshkruar dhe tashmë është duke u realizuar por një gjë e tillë ka ndodhur vetëm pas Pëlqimit zyrtar të cilin e ka nënshkruar Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, e cila i ka hapur rrugë nënshkrimit të kundërligjshëm të saj, duke inkurajuar dhe lejuar kështu keqpërdorimin e rreth 1 milion e 40 mijë eurove.”, ka thënë deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

Pas kësaj ka reaguar ministrja Donika Gërvalla e cila ka hedhur poshtë pretendimet e PDK-së.

“Jo 1.1 milion euro, por as edhe 1.1 Cent”, ka shkruar ministrja në Facebook.

Edhe Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR), e cila udhëhiqet nga Fikrim Damka, ka hedhur poshtë akuzat e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me keqpërdorimin e 1.1 milion eurove.

“Sqarim për opinionin publik, Ministria e Zhvillimit Rajonal ka një Memorandum të bashkëpunimit me Caritasin Zviceran Organizatë Ndërkombëtare e regjistruar në Kosovë, Caritasi Zviceran është anëtar i rrjetit ndërkombëtar të Caritas. Ai përbëhet nga 165 organizata në mbarë botën, përveç kësaj, organizatat e Caritas-it evropian janë bashkuar në Bruksel për të formuar Caritas Europe”, thuhej në komunikatën për media.

Ndryshe në media është përfolur edhe për një aferë korruptive në Ministrinë e Infrastrukturës të udhëhequr nga Liburn Aliu.