Fjalë Kyçe

Propozimi i PDK-së për të ndihmuar bizneset: Punëtorët e sektorit privat të marrin nga 300 euro për tre muaj

Propozimi i PDK-së për të ndihmuar bizneset: Punëtorët e sektorit privat të marrin nga 300 euro për tre muaj

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza ka treguar çfarë parasheh pako e propozuar nga PDK në ndihmë të bizneseve që janë vendosur në vështirësi nga pandemia.

Hamza, ka deklaruar se buxheti i miratuar në Kuvend për vitin 2020 nuk i reflekton nevojat në situatën që ndodhet sot Kosova. “Ky buxhet duhet të plotësohet dhe rishikohet”, u shpreh ai.

Pakoja emergjente financiare e PDK-së, sipas Hamzës, do të jetë për të ndihmuar familjet, punëtorët e sektorit privat, bizneset, pensionistët dhe gjitha kategoritë tjera shoqërore duke përfshirë edhe familjet pa asnjë të punësuar, për tu përballur me sfidat me pandeminë Covid-19.

Sipas pakos së PDK-së, pagat për të punësuarit në sektorin privat për tre muaj rresht të bëhet nga 300 euro dhe kjo shumë totale është 72 milionë euro.

Pakoja për ndihmën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme prej 40 milionë euro, për zyrtarët e vijës së parë si Klinika infektive, IKShP, etj. shtesa nga 500 euro, si dhe për rastet sociale nga 100 euro shtesë për çdo muaj në tre muajt e ardhshëm, shuma e përgjithshme është 78 milionë euro.

Hamza thotë se pakoja e propozuar nga Qeveria nuk është e mjaftueshme dhe as gjithëpërfshirëse. “Kjo pako ka problem në substancë dhe strukturë dhe mbi të gjitha është problem zbatueshmëria në aspektin ligjor”, tha Hamza në “RTV Dukagjini”.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së thotë se për shkak se bizneset nuk janë duke gjeneruar të ardhura, PDK ka bërë një propozim për të dalë nga kjo situatë. “Ne kemi propozuar që për tre muaj punëtorët e bizneseve që janë të afektuara nga pandemia të paguhen nga 300 euro”.

Hamza thotë se buxhetit të shtetit kjo pako do t’i kushtojë afërsisht 72 milionë euro.