Policia italiane përdori topa uji dhe gaz lotsjellës ditën e shtunë, për të zmbrapsur disa qindra njerëzit, mes të cilëve aktivistë pro-fashizmit, që po protestonin në Romë kundër një urdhri të qeverisë që e bën Lejen e Gjelbër anti-COVID të detyrueshme për të gjithë punëtorët.
Një grup protestuesish u përpoqën të përçanin kordonët e policisë për të arritur zyrën e kryeministrit Mario Draghi, ndërsa një tjetër u përpoq të hapte rrugën drejt selisë së sindikatës së punëtorëve, CGIL, shkruan euronws.al.
Protesta erdhi disa ditë përpara se Italia të bëhet vendi i parë në Evropë që detyron të gjithë punëtorët të kenë Lejen e Gjelbër, në përpjekje për të frenuar përhapjen e coronavirusit.
Leja në fjalë, që në formë digjitale apo në letër tregon nëse dikush ka marrë të paktën një dozë vaksine, ka rezultuar negativ, ose së fundmi ka kaluar virusin, ishte planifikuar fillimisht të përdorej për të lehtësuar udhëtimin mes shteteve të Bashkimit Evropian.
Kryeministri Draghi kritikoi dhunën e verifikuar në protesta dhe deklaroi se qeveria e unitetit kombëtar mbetet e vendosur për të çuar deri në fund fushatën e vaksinimit.