Presidenti i Perusë, Pedro Castillo vendosi sot një shtetrrethim në kryeqytetin Lima dhe ndaloi qytetarët të dalin nga shtëpitë e tyre. Ai e mori këtë vendim në mënyrë që autoritetet t’i ndalnin protestat masive kundër rritjes së çmimit të karburanteve dhe plehrave.
“Të martën, më 5 prill, ne ndaluam lëvizjen e qytetarëve nga ora 2 e mëngjesit deri në 23:59 për të mbrojtur të drejtat themelore të të gjithë njerëzve”, citohet të ketë thënë Castillo nga Reuters.
Pas pushtimit rus të Ukrainës, çmimet e karburanteve dhe plehrave u rritën ndjeshëm në Peru. CGTN thotë se çmimi i karburantit është rritur nga 28 deri në 30%. Fermerët dhe shoferët e kamionëve bllokuan disa autostrada kryesore për në Lima javën e kaluar.
Protestat u përhapën shpejt në të gjithë vendin dhe u bënë të dhunshme, me katër persona të vdekur deri më tani. Protestuesit i vunë zjarrin kabinave të pagesës pranë qytetit të Ice dje dhe u përleshën me policinë, përcjell Gazeta Express.
Qeveria njoftoi gjatë fundjavës se do t’i ulte shumicën e taksave të karburantit për t’i ulur çmimet. Ajo deklaroi gjithashtu se do ta rrisë pagën minimale me rreth 10% në 1205 sola peruane (rreth 300 Euro) në muaj.