Fjalë Kyçe

​Protestojnë punëtorët e sigurimit fizik në KEK, kërkojnë paga dhe kushte më të mira pune

​Protestojnë punëtorët e sigurimit fizik në KEK, kërkojnë paga dhe kushte më të mira pune

Shoqata Sindikale e Sigurimit Fizik në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), të martën ka protestuar kundër vazhdimit të tenderimit të paligjshëm sipas tyre, për pagat e ulëta dhe kushtet e rënda të punës.

“Ne nuk jemi të privatizuar, jemi të huazuar për 2+1 vite” dhe “Tenderi e pasuron vetëm një pronar, ndërsa ne jemi një shoqëri e cila i takon KEK-t”, ishin mbishkrimet në pankartat që ata mbanin në duar derisa protestuan para objektit të KEK-ut.

Ata thanë se ende nuk iu janë ekzekutuar pagat e janarit.

Kryesindikalisti i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, ka thënë se Raportit i Auditorit të brendshëm nuk është në përputhje me kontratën dhe se dyshojnë për korrupsion dhe “hile”.

Llumnica ka theksuar se si rezultat i keqmenaxhimit të KEK-ut, punëtorët e Sigurimit Fizik ende nuk e kanë marrë pagën e janarit. Ai i bëri thirrje qeverisë aktuale që të ndërmarrë masa, duke shtuar se kur kjo e fundit ishte në opozitë, kishte përkrahje për këto kërkesa.

“Sot jemi këtu edhe njëherë t’iu tregojmë Korporatës Energjetike të Kosovës se pse ky departament nuk është privatizuar, por është huazuar. Sot e 20 vjet tenderohet në mënyrë të paligjshme. Edhe sot është duke u tenderuar në mënyrë ta paligjshme. Kohëve të fundit e kemi edhe një raport të auditorit të brendshëm ku tregon që nuk është në përputhje me kontratën. Prandaj, ne po dyshojmë se këtu ka hile dhe ka korrupsion dhe kjo është arsyeja e cila tenderohet edhe tash e tutje…Për këtë kemi edhe argumente dhe sot këta punëmarrës, si rezultat i operatorëve ekonomik që në vazhdimësi marri tenderë. Si rezultat i keq menaxhimit të KEK-ut, sot këta punëtorë me 20 shkurt nuk e kanë marrur pagën e janarit…Prandaj, edhe një herë i bëjë thirrje edhe qeverisë së Republikës së së Kosovës, që kur ishte në opozitë na ka përkrahur për këtë të drejtë tonë të ligjshme sepse ky departament nuk është privatizuar”, tha Llumnica.

Edhe përfaqësuesi i punëtorëve të sigurimit fizik në KEK, Nexhat Murati është shprehur se janë punëtorë “të huazuar”, në kompani private në mënyrë të paligjshme nga ana e KEK-ut, për çka ka shtuar se keqpërdorimet janë shumë të mëdha.

Ai u shpreh se i jep afat KEK-ut deri në fillim në muajit të tjetër për ekzekutim të pagave, përndryshe sipas tij “nuk do të veshin më uniformat e kompanive private”.

Murati ka treguar se disa punëtorë sot e kanë thirrur dhe i kanë thënë se nuk kanë para për të udhëtuar që të marrin pjesë në protestë.

“Ne jemi punëtorë të huazuar në kompani private në mënyrë të paligjshme nga ana e KEK-ut, ku keqpërdorimet janë aq të mëdha sa t’iu tregojmë më fjalë nuk mund t’i merrni me mend, miliona janë të keqpërdorur…I bëjmë ftesë KEK-ut, Bordit, Ministrisë, qeverisë, se iu kemi drejtuar me kërkesa me shkrim dhe iu kemi argumentuar edhe në bazë ligjore të cilat janë që jemi punëtorë të KEK-ut dhe i kemi dokumentet përkatës i ka gjithashtu edhe KEK-u, por këta njerëz po vazhdojnë me një tenderim të vjetër dhe të korruptuar, ku fitimet normalisht që janë shumë të mëdha nga këta persona të KEK-ut, po të na kthejnë aty në KEK, ku e kemi vendin, më nuk mund të marrin këta tenderë nuk mund të marrin para, dhe banesa e shumë e shumë cak të tjera…Ne deri më të 30 e presim dhe më nuk do të veshim asnjë uniformë të kompanive private. Kjo është e fundit, le të na largojnë prej punës se boll jemi lodhur më. Njerëzit për muajin janar nuk e kanë marrë pagën, sot më kanë thirr disa persona, kanë thënë ‘Nuk i kam dy euro me ardhë në punë’, tha Murati.

Ndërkaq, pas gati një ore proteste para zyrës së KEK-ut, në shesh, kryetari i Sindikatës së KEK-ut bashkë me dy punëtorë të tjerë hynë brenda zyrave të KEK-ut, për të biseduar, por pas takimit, Murati tha se nuk arritën marrëveshje për asgjë.

Ai tha se i ka pritur shefja e kabinetit të KEK-ut, e cila u kishte thënë se do t’i njoftojnë përmes emailit për të caktuar një takim tjetër, në mënyrë që të bisedojnë rreth paqartësive.

“Këtu është krim duke u bërë…Jo, nuk u morëm vesh asgjë. Na tha që iu njoftojmë përmes emailit, me një takim tjetër. Unë emailin e pranoj që e ka marrë, por nuk e ka lexuar, se nuk i lexon fare. Një herë tha nuk e kam marrë…Në takim na ka pritur shefja e kabinetit të KEK-ut…Këta janë tyxharë…Me datën 22 këta kanë thirr takim me hajdutë, por ne do t’i kryejmë punët e tona sot”, tha Murati.

Ata kanë protestuar edhe më herët lidhur me këto kërkesa.