Barcelona i është rikthyer stërvitjeve të hënën, pas një dite pushimi që ishte dhënë tërë stafit. Ernesto Valverde e ka nxjerr skuadrën në fushën e stërvitjeve pa liderin dhe kapitenin Lionel Messin. Kjo vjen dy ditë para ndeshjes së Barçës ndaj rivalit Real Madridit në Kupën e Mbretit.
Lionel Messi ka qëndruar në palestër ku edhe do të vizitohet nga ekipi mjekësor i klubit, ndërkohë, Ousmane Dembele ka stërvitur pas lëndimit që e pësoi rreth tri javë më parë, transmeton Gazeta Express.
Superylli argjentinas mori një goditje në kofshën e djathtë në ndeshje ndaj Valencias dhe ende nuk dihet nëse do të jetë në gjendje të paraqitet në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit kundër Real Madridit të mërkurën.
Dembele, ndërkohë, punoi i vetëm në fushë. Francezi e ndrydhi nyjën e këmbës më 20 janar kundër Leganes. Për më tepër, anësori vuajti edhe nga flama fundjavën e kaluar.
Rreth tyre, sidomos për Messin, do të vendoset nesër nëse do të jetë në gjendje të luajë ndaj Real Madridit të mërkurën.