Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se me Ligjn për Vetëqeverisjen Lokale është më e lehtë që të bëhen investime nëpër komuna.
“Në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale komunat krijojnë ambient për investime. Para dy vitesh e kemi iniciuar amendamentin e ligjit mbi dhënien e pronës në shfrytëzim dhe këmbim dhe propozimet e komunave janë marrë parasysh dhe janë përfshirë në projektligjin final i cili i jep mundësi investitorëve kosovarë dhe të huaj të investojnë në komunat e Kosovës. Me këtë ligj të gjitha komunat janë të obliguara që t’i paraqesin pronat komunale në uebfaqe në mënyrë që të kenë qasje edhe investitorët potencialë nga diaspora, derisa disa procedura burokratike të cilat kanë qenë në ligjin paraprak për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim janë tejkaluar dhe tani është shumë më lehtë për komunat që të japin pronat e tyre për shfrytëzim”.
“Me ligjin për dhënien e pronës komunale janë hapur shumë dyer për investime. Komuna nuk mund të punësojë shumë njerëz, por krijon kushte. Nëse një investitor potencial është i interesuar që të shfrytëzojë pronën komunale për investime mund të kontaktojë me kryetarin e komunës dhe të negociojë me të, e më pas kuvendi komunal e merr vendimin final për investime”.
Ai, në Sytë 7 në Klan Kosova, ka komentuar edhe faktin se gati në të gjitha komunat ka më shumë investime kapitale pikërisht në kohën e fushatës elektorale për zgjedhjet e 17 tetorit.
“Mendimi dhe gjykimi jonë është që kryetarët e komunave bashkë me ekipin e tyre investojnë gjatë katër viteve. Këtë vit është parë më shumë për shkak se vitin e kaluar ka qenë pandemi dhe komunat kanë qenë të kufizuara në investime. Asociacioni i Komunave ka luajtur një rol domethënës sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me prokurimin. Këtë vit shihet se ka më shumë investime, por nuk do të thotë vetëm për shkak se është vit zgjedhor”.