Të qëndruarit pranë një elefanti është një eksperiencë e jashtëzakonshme. Mjafton përmasa e tij që të të hutojë dhe natyra e tij e butë dhe fisnike që të të japë një ndjesi paqeje.
Sidoqoftë, është pikërisht ky temperament i qetë dhe i butë i tyre, të cilin njerëzimi e ka shfrytëzuar në mënyrat më të dhunshme. Ne kemi mësuar se duke i dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht këta gjigandë të butë, mund t’i detyrojmë ata të bëhen pjesë e situatave argëtuese dhe zbavitëse – të paktën kështu e kemi bindur veten.
Një shembull primar i kësaj janë mundësitë e panumërta të turizmit me elefantë, të cilat janë ndërtuar për udhëtarët që vizitojnë destinacionet jug-lindore te Azisë.
Çfarë mund të jetë më ‘e natyrshme’ se sa të shpenzosh disa orë në shoqërinë e një elefanti?
Por shpesh, gjërat nuk janë ashtu siç duken.
Mijëra elefantë që janë pjesë e kampeve të turizmit përgjatë të gjithë Azisë, po përdoren për aktivitete me kontakt të afërt dhe prekje, gjë që edhe pse mund të duket argëtuese për njeriun, për elefantin nuk është aspak e tillë.
Gjatë eksperiencës tuaj ‘ekzotike’ do të shoqëroheni nga kujdestari i elefantit, i cili presupozohet ta kuptojë elefantin tuaj më mirë nga kushdo tjetër. Ama, në shumicën e rasteve, ky person do ketë me vete një instrument që siguron se elefanti do të mbetet nën kontroll.
Për ta bërë të qëndrojnë në pozicionet që ju dëshironi, kujdestari do ta ‘udhëzojë’ elefantin duke përdorur një grep që mbërthen atë në vende të caktuara. Sado butë mund të përdoret ky grep në syrin tuaj, ai është përdorur në mënyrë shumë të dhunshme në një periudhë gjatë trajnimit të elefantit, i cili e ka detyruar atë ta shohë këtë instrument me frikë.
Një tjetër instrument është një shkop i shkurtër i cili mund të përdoret për ta shpuar elefantin në vende të ndjeshme si mbrapa veshëve, në mënyrë që ai të bindet.
Kjo do të thotë se duke i shkaktuar kësaj kafshe mjaftueshëm dhimbje, ai do ta regjistrojë atë në kujtesë, në mënyrë që sa herë t’i kujtohet me anë të një instruksioni nga ‘kujdestari’ i tij, ai të dojë ta evitojë atë eksperiencë dhe të bindet.
Për t’i përkeqësuar akoma më tepër gjërat, shumë elefantë detyrohen të durojnë keqtrajtime dhe dhunim të dinjitetit të tyre, duke u bërë pjesë e cirqeve dhe performancave të ndryshme ‘argëtuese’.
Elefantë që rrinë kokë poshtë, apo rrotullohen në vend duke qëndruar në një këmbë, apo duke ecur nga një barelë rrotulluese në tjetrën – të gjitha këto konfirmojnë abuzimet që bëjnë manipulatorët e këtyre qenieve kaq të bukura me qëllimin e vetëm, paratë.
A ka opsione etike të turizmit të elefantëve?
Fatmirësisht, ka ende disa vende të cilat vërtetë i kanë ‘shpëtuar’ këta elefantë nga ky lloj mjerimi. Vende që i lejojnë ata të jetojnë në komunitet, të qëndrojnë në shoqërinë e njëri tjetrit në natyrë, dhe që mbi të gjitha nuk i detyrojnë të bëjnë numra, shfaqje apo që të na binden ne./euronewa.al