Policia e Kosovës të martën ka larguar nga sheshet e Prishtinës shiritat të cilët ishin vendosur për të ndaluar qarkullimin e qytetarëve brenda shesheve. Kjo ishte bërë për të mos lënë qytetarët të grumbullohen në qytet, si masë parandalimi të përhapjes së COVID-19.
Pikërisht dje VV grumbulloi aktivistë të saj në shesh për t’i ushtruar për protesta.
Të martën u larguan të gjithë shiritat që ndalonin qarkullimin e qytetarëve nëpër sheshet e kryeqytetit.
Kjo nuk ishte paralajmëruar në masat lehtësuese te Qeverisë, e as të martën kur u hoqën nuk pati ndonjë njoftim nga ana e policisë.
Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë për Gazetën Express se shiritat janë larguar nga Policia e Kosovës, për t’u zëvendësuar me të rinj.
“Policia i ka larguar shiritat, kanë thënë se kjo është bërë për t’i zëvendësuar me të rinj”, ka deklaruar Tahiri.
Shiritat në sheshet e Prishtinës janë vendosur më 6 prill.
Ky kufizim i hapësirave me shirita është bërë me qëllim të shmangies së shëtitjeve të panevojshme të qytetarëve, dhe brenda këtyre hapësirave gjendet edhe policia e cila përkujdeset vazhdimisht për sigurinë e qytetarëve.