Bordi ekzekutiv i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) sot ka marrë vendim për mbylljen e institucionit financiar jo bankar “Monego” dhe institucionit mikrofinanciar “Lute Credit”.
Këtë e ka bërë të ditur guvernatori i BQK së, Fehmi Mehmeti në një konferencë të jashtëzakonshme për media.
“Sot Bordi i BQK së duke u bazu në kompetenca ka vendosur që të revokojë regjistrimin dhe të inicojë procedurat e likuidimit për institucionin mikrofinanciar “Lute Credit” dhe institucionin financiar jo bankar “Monego”. Gjatë këtyre viteve kanë devijuar nga planet e biznesit”, ka thënë Mehmeti
Mehmeti ka thënë se në kohën kur këto dy institucione, “Monego” dhe “Lute Credit” kishin aplikuar për licencë në BQK, kishin dorëzuar një plan biznesi nga i cili këto vite ato kanë devijuar vazhdimisht.
Devijimi më shqetësues sipas Mehmetit është norma e lartë e interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi të cilat kanë qenë shumë më të larta nga ato që i kishin paraparë.
“Gjatë këtyre viteve të operimit të tyre në Kosovës këto institucione në vazhdimësi kanë devijuar nga këto plane të biznesit duke i sjell tregut diçka tjetër nga ajo që kishin premtuar. Devijimi më shqetësues ka të bëj me normën e interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi të cilat kanë rezultu të jenë shumëfish më të larta në krahasim me normat që këto institucione kishin paraparë në planin e tyre të biznesit, dhe me mesataren e normave të tjera të interesit në Kosovë”, ka deklaruar Mehmeti.
Ndërsa zv.guvernatori i BQK-së, Sokol Havolli ka numëruar arsyet për të cilat këtyre dy institucioneve, “Monego” dhe “Lute Credit” iu është tërhequr licenca. Ai ka treguar se BQK ka kryer dy ekzaminime të fokusuara në institucionet “Monego” dhe “Lute Credit”.