Fjalë Kyçe

Publikohet drafti i Ligjit të pagave, presidenti me pagën më të lartë

Publikohet drafti i Ligjit të pagave, presidenti me pagën më të lartë

Presidenti i Kosovës do të ketë pagën më të lartë në vend, ndër funksionarët publikë, bazuar në draftin që ka përgatitur Ministria e Punëve të Brendshme, për Ligjin për pagat. Edhe pse s’është caktuar vlera e koeficientit, në listën e siguruar nga KOHA, presidenti ka vlerën më të lartë të koeficientit, 20.

Kryetari i Kuvendit dhe kryeministri pasojnë listën me koeficient 19. Bashkë me ta është edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese në vlerë të njëjtë.

Nënkryetari i Kuvendit, zëvendëskryeministri dhe zëvendëskryetari i Kushteuteses kanë koeficient 17, ndërsa deputeti, ministri e gjyqtari i Kushtetueses me koeficient 16.

Ligji për Paga pritet të shkojë në Kuvend nga Qeveria në muajin mars. Ende pa u bërë publik, ndaj tij ka pasur reagime e kundërshtime nga disa sindikata që i kanë vlerësuar të padrejtë koeficientet për ta.

Në sistemin gjyqësor, kryetari i Gjykatës Supreme do të ketë koeficient 18.5. Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor koeficient 18. Në këtë sektor, paga më e ulët do të jetë ajo e bashkëpunëtorit profesional të Gjykatës Themelore me koeficient 6.6.

Në sistemin prokurorial, kryeprokurori parashihet të ketë pagë me koeficient 18.5. Kryesuesi i Këshillit Prokurorial 18, ndërsa edhe këtu paga më e ulët do të jetë me koeficientin 6.6 te bashkëpunëtori profesional i Prokurorisë Themelore.

Në Forcën e Sigurisë, rekruti/kadeti do të ketë koeficient dy të pagës, ndërsa ushtari 4. Gjenerallejtënanti do të ketë koeficientin 14.5 të pagës.

Një polic do të ketë koeficientin 4.2 të pagës. Ndërkaq kadeti 2. Pagat në Polici do të lëvizin deri në koeficientin 14 për drejtorin e përgjithshëm.