Hendbollistet e Përfaqësueses U19 të Kosovës do të mblidhen javën tjetër (1 korrik) për Kampionatin Evropian, Divizioni B, që mbahet në Shkup prej 10 deri më 18 korrik.
Grumbullimi do të bëhet në Istog në mëngjesin e 1 korrikut, ndërsa lojtaret do t’u nënshtrohen testeve të përgatitjes fizike të njëjtën ditë. Më 1 korrik nisin edhe stërvitjet, që do të vazhdojnë për disa ditë, para se ekipi të luaj dy ndeshje miqësore (më 4 e 5 korrik). FHK-ja është në negociata me disa federata të regjionit për të aranzhuar miqësoret, që do të shërbejnë për ta përzgjedhur ekipin final, pasi fillimisht ekipi është i zgjeruar, ka njoftuar FHK-ja.
Për në Maqedoni të Veriut udhëtohet më 9 korrik, ndërsa ndeshja e parë është më 10 korrik. Kosova në fillim takohet me Holandën.
Te Kosova U19 janë ftuar lojtare që vlerësohen me potencial. Ka lojtare të klubeve tona, por edhe të klubeve evropiane. Një numër i konsiderueshëm i lojtareve grumbullohen për herën e parë, edhe për faktin se vjet nuk kishte aktivitete evropiane të grup-moshave për shkak të pandemisë.
Selektori Agron Shabani dhe trajneri Faruk Shala kanë vendosur për këto lojtare: Venera Kafexholli (BSV Stans), Dafina Mustafa (LC Brühl), Mendolina Fetaj (LC Brühl), Melisa Mulaj (Kjelsa IL), Elisa Mulaj (Kjelsa IL), Ornela Haxhiu (HK Malmo), Donita Lajçi (Oppsalhandball), Hava Maloku (TSG Bad Soden A – jugend), Alma Nivokazi (Prishtina), Selvije Mollakadrija (Vëllaznimi), Gentiana Basholli (Samadrexha), Areta Istrefi (SV Teutonia Riemke), Lorena Nikolla (HSC Kreuzlingen), Diellza Istrefi (Sarpsborg), Adelina Berisha (Istogu), Natalija Milatoviq (Istogu), Saranda Berisha (EHC Olten) e Eriona Gecaj (Jusuf Gërvalla).