Fjalë Kyçe

Punimet në parkingun nëntokësor po konsiderohen marketing për fushat zgjedhore

Punimet në parkingun nëntokësor po konsiderohen marketing për fushat zgjedhore

Fillimet e punimeve të parkingut nëntokësor po konsiderohen marketing për fushatë zgjedhore.

Këto punime po fillojnë pak kohë para përfundimit të mandatit të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti. Madje thuhet se kohëzgjatja e këtyre punimeve nuk do të jetë aq sa ka premtuar ky i fundit.

Asambleistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Nazlie Balaj,  ngrit akuza ndaj kryetarit Ahmeti, duke thënë se me këtë projekt dëshiron t’i mbulojë dështimet e tij karshi qytetarëve të kryeqytetit.

“Për mua si asambleiste e VV-së, në Kuvendin Komunal të Prishtinës më shumë është një para fushat e Shpend Ahmetit, se sa realizim i këtij premtimi dhe kësaj nevoje të kamotshme për qytetarët. E që ky premtim dhe zotim i tij për mua shumë më shumë do të jetë një dështim, ashtu siç ka dështuar në këtë legjislaturë, faktikisht jemi në prag të zgjedhjeve lokale të cilat do të mbahen vitin e ardhshëm dhe kjo është si një lloj fushate dhe për t’i mbuluar dështimet e tij, karshi qytetarëve të kryeqytetit…Për 4 vite rresht është ky zotim i tij, për fillimin e punimeve të parkingut nëntokësor. Ky zotim i tij është vetëm një gënjeshtër e radhës, ashtu siç kanë qenë gënjeshtra edhe të gjitha premtimet kur e mori mandatin si kryetar i Komunës. Të gjitha ato premtime as me 5% nuk janë mbuluar dhe nuk janë realizuar”, thotë ajo.

Nga organizata Iniciativa për Progres, Qendrim Arifaj, ka kritikuar kryetarin Ahmeti, duke thënë se të thirresh katër vjet në një parking nëntokësor dhe të kalojë kohë e të mos ketë ende fillim zyrtar të punimeve, është e papranueshme.

Derisa ka theksuar se qytetarët do të përjetojnë vetëm fillimin e këtij projekti sepse ai projekt do të zgjas së paku dy vjet.

“Ky parking nëntokësor është premtim i kryetarit Shpend Ahmeti në mandatin e dytë, është një ndër parkingjet e vetme të premtuara dhe ende të parealizuara, dihet që komuna e Prishtinës ka një rrëmujë sa i përket mungesës së hapësirave publike për parkingje. Qysh në muajin tetor të vitit 2019, është nënshkruar kjo kontratë dhe është dashur 1 vit të kaloj, derisa të fillojnë punimet…Gjithashtu, është e papranueshme kjo vonesë qoftë në dhënien e lejes për punë dhe procedurave tjera që kanë pasuar pas nënshkrimit të kontratës, është e papërgjegjshme të pritët 1 vjet pas nënshkrimit të kontratës që të fillojnë punë, kur dihet që minimalisht ai projekt do të zgjatë 18 muaj dhe maksimalisht 24 muaj. Qytetarët do ta përjetojnë vetëm fillimin e punimeve, të këtij parkingu dhe në asnjë mënyrë ta gëzojnë si premtim të tij”, thotë Arifaj, në një intervistë për KosovaPress.

Ndërsa, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë se nuk e ka idenë se për çfarë fushate po flitet, për çka thotë se nuk ka thënë që do të kandidojë përsëri për këtë post.

Ahmeti ka shtuar se kritikat do të marrin fund kur qytetarët do të jenë të kënaqur nga kjo punë.

“Me ju tregu të drejtën as nuk jemi në zgjedhje. Kjo është një zgjidhje shumë e mirë për Prishtinën. Nuk e di për çfarë fushate po flasin, unë as që kam thënë që do të kandidojë. Më shumë e kam që një projekt që e kemi filluar ta përfundojmë, sepse mendoj që është zgjidhje e nevojshme. Ideja është që të ofrojmë hapësirë të parkingut por ta lirojmë pjesën e sipërfaqes së tokës nga veturat që vazhdimisht na ngufasin me prezencën e tyre…Le të kritikon Vetëvendosja, le te kritikojnë të tjerët, por në fund kur të shfrytëzohen këto, të gjithë qytetaret do te jenë të kënaqur”, thotë Ahmeti.

Kujtojmë se ndërtimi i parkingut nëntokësor ka qenë premtim i kryetarit Shpend Ahmeti në mandatin e dytë.