Kolona të gjata po shkaktojnë punimet që janë duke u zhvilluar në zgjerimin e rrugës dhe ndërtimin e urës në Veternik, e përfundimi i këtyre punimeve nuk pritet të ndodhë deri në fund të muajit maj.
Punimet në këtë pjesë kanë filluar në muajin korrik të vitit të kaluar dhe ishte paraparë që të përfundojnë brenda 6 muajve, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Qytetarët janë ata që ankohen se kalimi në këtë pjesë është bërë i padurueshëm, për shkak të kolonave të gjata.Çdo ditë këtë rrugë thotë se e kalon qytetari, Vedat Morina, e i cili për KosovaPress, shprehet se këto punime është dashur të përfundojnë qysh moti.Ai thotë se është e paimagjinueshme që punimet në këtë pjesë po vonohen kaq shumë.
Edhe qytetari Jeton Halimi, thotë se kalimi në këtë rrugë është bërë i vështirë, derisa potencon se shpesh herë i bie që të pres në kolonë deri në 40 minuta.
Në këtë rrugë i bie çdo ditë edhe qytetari Shkelzen Ademi, e i cili thotë se shpesh herë i bie të pres në kolonë më shumë se 30 minuta.
Kolonat në këtë pjesë të rrugës do të vazhdojnë edhe për një kohë të gjatë, pasi që punimet nuk pritet të përfundojnë deri në fund të muajit maj.
Menaxheri i projektit në departamentin për menaxhimin e rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës, Isa Berisha, për KosovaPress thotë se punimet janë duke shkuar sipas planit dinamik dhe se të gjitha punimet pritet të përfundojnë në muajin maj.Ai thotë se rruga për qarkullim do të lëshohet në fund të majit, derisa potencon se punimet janë duke shkuar në rregull.Ndonëse ishte paraparë që punimet në këtë rrugë të përfundojnë brenda gjashtë muajve, Berisha thotë se nuk ka vonesa në këtë projekt dhe se është duke u zhvilluar sipas dinamikës së planifikuar.
I gjithë projekti i rrethrrotullimit në Veternik Ministrisë së Infrastrukturës i ka kushtuar 2 milionë e 500 mijë euro.