Fjalë Kyçe

Punonte pa doreza: Ndërron jetë nga koronavirusi mjeku 57-vjeçar, ja mesazhi i tij i fundit

Punonte pa doreza: Ndërron jetë nga koronavirusi mjeku 57-vjeçar, ja mesazhi i tij i fundit

Një mjek 57-vjeçar, i cili punonte në një spital të qytetit të Codognos dhe rezultoi pozitiv ndaj koronavirusit, ndërroi jetë për shkak të tij.

Sipas “Euronews”, Marcello Natali u shtrua në një spital në Cremona përpara se të transferohej në Milano me pneumoni të rëndë në të dy krahët. Në njërën prej intervistave të tij të fundit, Natali kishte thënë për Euroneës se “duhej të punonte pa doreza”.

“Kishin mbaruar”, thoshte ai, teksa shtonte se në Codogno dhe në Casalen pranë tij, 14 mjekë ishin në karantinë që nga data 28 shkurt. “Ne nuk ishim të përgatitur për koronavirusin; si mjekë të periudhës post antibiotikëve, u rritëm me idenë se një pilulë kundër gjithçkaje ishte e mjaftueshme”, qenë fjalët e tij.

Vdekja e Marcello Natalit u konfirmua nga një përfaqësues i Federatës Italiane të Praktikuesve të Përgjithshëm, i cili tha se vuante dhe vetë nga pneumonia e dyfishtë për shkak të koronavirusit. “ Është si të jemi në luftë”, deklaroi ai. Paola Pedrini, sekretare rajonale në federatë, tha se 110 mjekë nga 600 që janë gjithsej në Bergamo, janë të sëmurë, transmeton Balkanweb.

“Situata nuk është aspak mirë që nga fundi i shkurtit. Ne morëm disa maska, disa doreza, asgjë tjetër. Një maskë që duhet të zgjasë gjysmë-ditë, këtu zgjat një javë”, shprehet ajo.

Shumë vende europiane po përballen me problemin e mungesës së dorezave, maskave mjekësore si dhe mjeteve të tjera si dezinfektuesi i duarve, pasi kërkesa për to është rritur ndjeshëm nga paniku që ka përfshirë njerëzit.